Fustani i nusërisë që nëna e saj, Tina Knowles, krijoi për martesën me Jay-Z në vitin 2008, mbetet veshja më e veçantë për Beyoncé. Këngëtarja ka treguar se ai ka një vlerë të pazëvendësueshme emocionale, pasi është realizuar nga nëna e saj me shumë dashuri.
Në një intervistë për revistën “i-D”, 45-vjeçarja foli për këtë krijim, të cilin e veçon mes të gjitha veshjeve që Tina Knowles ka dizajnuar për të.
“Fustani im i preferuar nga të gjitha ato që ka krijuar nëna ime është fustani i nusërisë. Ishte i mrekullueshëm në thjeshtësinë e tij dhe i punuar me dashurinë e saj”, u shpreh Beyoncé.
Ajo kujtoi edhe ceremoninë martesore me Jay-Z, e cila u organizua në një rreth shumë të ngushtë dhe në fshehtësi të plotë. Shumica e të ftuarve nuk e dinin se po shkonin në një dasmë, pasi çifti u kishte thënë se bëhej fjalë për një festë.
“Organizuam një dasmë shumë të vogël në shtëpinë tonë. U thamë të ftuarve se po organizonim një festë dhe askush nuk e dinte se po vinte në dasmën tonë, përveç prindërve dhe disa miqve”, tregoi ajo.
Këngëtarja theksoi se për të rëndësi nuk kishte marka apo emri i stilistit, por fakti që fustani ishte krijuar nga nëna e saj.
“Fakti që vesha një fustan të dizajnuar nga vetë nëna ime ishte shumë i rëndësishëm për mua, më i rëndësishëm se çdo fustan i një stilisti të famshëm”, shtoi Beyoncé.
Tina Knowles ka qenë pjesë e rëndësishme e imazhit skenik të Beyoncé që në fillimet e karrierës së saj, duke krijuar veshje për koncertet dhe daljet në tapetin e kuq.
Bashkëpunimi i tyre është shtrirë edhe në biznes. Në vitin 2004, ato krijuan së bashku linjën e veshjeve “House of Deréon”, ndërsa sot bashkëpunojnë edhe në “Cécred”, markën e produkteve për kujdesin e flokëve të këngëtares, të lançuar në vitin 2024./mxh
