Microsoft ka njoftuar se po shënon përparim në rikthimin e shërbimeve pas një ndërprerjeje të madhe globale, e cila la miliona përdorues në mbarë botën pa akses në platformat dhe mjetet e saj digjitale.
Në një deklaratë të fundit, kompania bëri të ditur se situata në Evropë po përmirësohet, me rritjen e disponueshmërisë së shërbimeve dhe rikthimin gradual të shpërndarjes së email-eve në një pjesë gjithnjë e më të madhe të infrastrukturës.
“Japonia mbetet relativisht më e qëndrueshme, ndërsa situata në Amerikën e Veriut po përmirësohet gjithashtu. Megjithatë, disa klientë mund të përjetojnë ende ndërprerje në aksesin në shërbime ndërsa vazhdojnë veprimet e rimëkëmbjes”, deklaroi Microsoft, raporton BBC.
Kompania theksoi se ekipet teknike janë të përqendruara në zgjidhjen e problemeve të mbetura dhe rikthimin e plotë të shërbimeve.
Ndërprerja globale, e cila zgjati të paktën 18 orë, preku miliona përdorues, duke shkaktuar probleme në aksesin në email-in Outlook, platformën e komunikimit dhe videokonferencave Teams, si dhe në mjete të tjera që përdoren çdo ditë nga bizneset, institucionet arsimore dhe shërbimet publike.
Pasojat më të ndjeshme u raportuan në Shtetet e Bashkuara dhe Australi, por problemet u shtrinë edhe në rajone të tjera të botës, duke shkaktuar vështirësi në funksionimin e përditshëm të kompanive dhe organizatave, raportoi CNN.
Në SHBA, disa punonjës u detyruan të përfundonin më herët ditën e punës për shkak të pamundësisë për të përdorur sistemet e brendshme të kompanive. Ndërsa në Australi, disa biznese hasën vështirësi në printimin e faturave dhe disa shkolla nuk arritën të zhvillonin mësimet e planifikuara online.
Problemet prekën edhe sektorë të tjerë. Mediat australiane raportuan ndërprerje të transmetimeve të drejtpërdrejta nga gjykatat, vështirësi në zhvillimin e intervistave të punës online, si dhe probleme në qendrat e shpërndarjes që furnizojnë supermarketet.
Microsoft kishte bërë të ditur më herët se po punonte për stabilizimin e infrastrukturës së serverëve dhe rikthimin e shërbimeve. Përpjekjet fillestare, përfshirë rinisjen e infrastrukturës së prekur, sollën disa rezultate pozitive, por nuk garantuan një rikuperim të qëndrueshëm.
Në një përditësim të mëvonshëm në llogarinë zyrtare të njoftimeve për incidentet e Microsoft 365 në rrjetin social X, kompania pranoi se rikthimi i qëndrueshëm i shërbimeve nuk ishte konfirmuar ende.
Pavarësisht përmirësimeve të raportuara, Microsoft paralajmëron se një pjesë e përdoruesve mund të vijojnë të përballen me probleme deri në përfundimin e plotë të procesit të rikuperimit./ET
