Autoritetet hungareze kanë sekuestruar mbi 17.5 milionë euro në para të gatshme, të cilat ishin fshehur në vende të ndryshme në të gjithë vendin, përfshirë pyje, ndërtesa bujqësore, magazina dhe banesa private. Zbulimi është bërë në kuadër të një hetimi të gjerë për korrupsion, ku në qendër të dyshimeve është edhe ish-ministri i Zhvillimit Kombëtar, Miklós Seszták.
Më 12 dhe 13 nëntor, Zyra Kombëtare për Rikuperimin dhe Mbrojtjen e Aseteve (NVVH) zhvilloi kontrolle të koordinuara në disa zona të Hungarisë, përfshirë Budapestin dhe qarqet Pest, Békés dhe Nógrád. Gjatë operacionit, hetuesit zbuluan shuma të mëdha parash të groposura në pyje, të fshehura në ndërtesa bujqësore e magazina, si dhe të depozituara në banesa private dhe në një kasafortë me vlerë të lartë, në një vendndodhje të izoluar.
Në përfundim të operacionit dyditor, autoritetet sekuestruan gjithsej 5 miliardë e 71 milionë e 632 mijë forinta hungareze, 2 milionë e 658 mijë e 350 euro dhe 1 milion e 257 mijë e 100 dollarë amerikanë. Të premten, paratë u depozituan në Thesarin e Shtetit hungarez.
Sipas hetimeve, dyshohet se gjatë periudhës 2015-2018, Seszták dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë shtetërore për administrimin e aseteve, Hungarian National Asset Management (MNV), kanë përfituar në mënyrë të paligjshme mbi 11 miliardë forinta nga përfaqësues të kompanive që kishin kontrata me operatorin kombëtar të transportit publik me autobusë, Volánbusz.
Ky nuk është zbulimi i parë në kuadër të hetimit. Në tetor, gjatë një kontrolli në banesën e Seszták në Kisvárda, autoritetet gjetën kasaforta të një lloji që përdoret zakonisht nga institucionet e shërbimeve financiare dhe dyqanet e pengut.
Më 30 shtator, Gjykata e Rrethit Qendror të Budës urdhëroi arrestimin e ish-ministrit, me kërkesë të NVVH-së. Në fund të tetorit, gjykata vendosi zgjatjen e paraburgimit deri më 30 janar, duke iu referuar rëndësisë së çështjes dhe rrezikut që ai të largohej nga vendi ose të fshihej.
