Nga Leonard Veizi
Nëse je në Francë, të thonë se pa parë Katedralen e Parisit apo “Notrë-Damën” nuk ke parë Parisin. Në Gjermani, do të të drejtojnë pa hezitim nga Katedralja e Këlnit, ajo busullë guri që orienton historinë dhe krenarinë e vendit. Në Angli, gotika e Abacisë së Uestminsterit apo hijerëndësia e Katedrales së Kenterberit të përshëndesin me solemnitetin e një tradite të palëvizshme. Por po të të bjerë rruga në Itali, do ta dëgjosh pothuaj njëzëri: Duomo di Milano…
Kur del në sheshin Duomo të Milanos, vështrimi të shkon vetvetiu drejt një ndërtese që duket sikur nuk ka ndërmend të mbarojë kurrë së lartësuari. Përpara teje shfaqet një pyll mermeri i bardhë, me qindra maja të holla që ngrihen drejt qiellit, kulla të vogla, harqe gotike dhe mijëra figura të gdhendura me një durim që sot duket pothuajse i pabesueshëm.
Është Katedralja e Milanos, ose Duomo di Milano, një prej veprave më monumentale të arkitekturës gotike në Evropë. Madhështia e saj nuk qëndron vetëm te përmasat, te skulpturat apo te mermeri i bardhë rozë që i jep atë pamje karakteristike. Historia e ndërtimit është po aq e jashtëzakonshme sa vetë ndërtesa: u deshën gati 578 vjet që projekti të arrinte në përfundimin e tij simbolik.
Punimet nisën në vitin 1386, në kohën kur Milanon e drejtonte Xhan Galeaco Viskonti. Një vit më pas u krijua institucioni Veneranda Fabbrica del Duomo, që do të merrte përsipër organizimin dhe financimin e ndërtimit. Në vend të kishës së vjetër të Santa Maria Maxhore, sundimtari dëshironte të ngrinte një katedrale që të rivalizonte monumentet më të mëdha fetare të Evropës. Një vepër që do të mbante gjallë emrin e qytetit dhe të familjes së tij për shekuj.
Me siguri, askush prej atyre që hodhën gurët e parë nuk mund ta imagjinonte se pasardhësit e tyre, e më pas breza të tërë, do të vazhdonin të punonin mbi të njëjtën ndërtesë.
Në fakt, Duomo u shndërrua në një kantier që dukej se nuk kishte fund. Arkitektë italianë, francezë dhe gjermanë u përfshinë në projekt, ndërsa mosmarrëveshjet mbi stilin, përmasat dhe zgjidhjet arkitekturore shoqëruan ndërtimin për një kohë të gjatë. Secila epokë linte gjurmën e vet, pa e shkëputur plotësisht veprën nga ideja fillestare.
Edhe sot, kur qëndron përballë fasadës, është e vështirë të mos ndalesh te hollësitë. Mbi 3.400 statuja, 135 maja dhe një numër i jashtëzakonshëm elementesh dekorative e kthejnë ndërtesën në një galeri të hapur skulpture. Figurat biblike, shenjtorët, krijesat mitologjike dhe ornamentet prej mermeri janë vendosur në një kompozim që të detyron ta shohësh disa herë, sepse vështrimi nuk mund t’i përfshijë të gjitha menjëherë.
Në pjesën më të lartë të saj qëndron Madonnina, statuja e Virgjëreshës Mari, e vendosur në vitin 1774, rreth 108 metra mbi tokë. E punuar me fletë bakri të praruara, ajo u bë një prej simboleve më të dashura të Milanos. Për milanezët është Madunina, një prani që vështron qytetin nga lart dhe që për një kohë të gjatë shërbeu si pikë referimi për çdo ndërtesë të re që ngrihej në qytet.
Një tjetër kapitull i historisë lidhet me Napoleon Bonapartin. Në vitin 1805, ai kërkoi që fasada të përfundonte përpara kurorëzimit të tij si Mbret i Italisë, ceremoni që u zhvillua pikërisht brenda katedrales. Kështu, një pjesë e rëndësishme e punimeve mori shtysë vendimtare, megjithëse ndërhyrjet dhe plotësimet arkitekturore do të vazhdonin edhe më pas.
Ndërtimi i një vepre të tillë kërkonte para të jashtëzakonshme. Financimi nuk u mbështet vetëm te sundimtarët dhe familjet e pasura. Kontribute dhanë edhe qytetarë të zakonshëm, njerëz të shtresave të ndryshme dhe pjesë të ndryshme të shoqërisë milaneze. Në një farë mënyre, katedralja u bë një projekt i përbashkët i qytetit, një formë e hershme e asaj që sot do ta quanim financim kolektiv.
Brenda saj, hapësira ndryshon krejtësisht nga pamja e jashtme. Kolonat masive ngrihen në lartësi, duke krijuar një ndjesi madhështie dhe qetësie. Drita që depërton përmes vitrazheve shumëngjyrëshe shpërndahet në dysheme dhe mure, ndërsa skenat biblike të paraqitura në xham rrëfejnë histori të besimit dhe të traditës kristiane.
Mes veprave të shumta të artit gjendet edhe statuja e Shën Bartolomeut, e realizuar nga skulptori Marko d’Agrate në shekullin XVI. Ajo është veçanërisht tronditëse: shenjtori paraqitet i zhveshur nga lëkura, të cilën e mban të hedhur mbi supe, si kujtesë e martirizimit të tij. Është një prej skulpturave që të mbetet në mendje edhe pasi largohesh nga katedralja.
Një mundësi tjetër për ta parë Milanon nga një këndvështrim krejt i ndryshëm është ngjitja në tarracat e Duomos. Atje, mes majave të mermerit, statujave dhe detajeve gotike, qyteti shtrihet poshtë këmbëve, ndërsa në ditët me mot të kthjellët, në horizont shfaqet edhe vargmali i Alpeve.
Megjithatë, historia e ndërtimit nuk mbyllet me Napoleonin dhe as me shekullin XIX. Ndërhyrjet vazhduan për shumë dekada, ndërsa dera e pestë dhe e fundit prej bronzi u përurua në vitin 1965. Kjo datë shënon përfundimin simbolik të një projekti që kishte nisur në fund të Mesjetës, 578 vjet më parë.
Gati gjashtë shekuj për të ndërtuar një katedrale. Një kohë aq e gjatë sa arkitektët që nisën projektin nuk mund ta shihnin përfundimin e tij, ndërsa ata që vunë gurët e fundit jetonin në një botë krejt tjetër.
Dhe ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e vërtetë e Duomo di Milano. Ajo nuk është vetëm një ndërtesë fetare apo një kryevepër e arkitekturës gotike. Është dëshmi se si një ide mund t’i mbijetojë sundimtarëve, luftërave, krizave ekonomike dhe ndryshimit të epokave.
Njerëzit që e nisën nuk e panë të përfunduar. Ata që e përfunduan nuk i njihnin ata që kishin hedhur themelet. Por të gjithë, në mënyrën e tyre, kishin lënë një pjesë të jetës brenda saj.
Katedralja e Milanos nuk u ndërtua gjatë jetës së një brezi. Ajo u ndërtua nga breza të tërë, sikur secili t’ia kishte lënë tjetrit një amanet prej guri.
