Një shpërthim i vetëm bërthamor në hapësirë mund të shkaktojë një katastrofë me pasoja globale, duke nxjerrë jashtë funksionit pothuajse të gjithë satelitët që rrotullohen rreth Tokës.
Ky është përfundimi i një simulimi të kryer nga shkencëtarë të Universitetit të Uisconsin-Madison dhe Universitetit të Princetonit, të cilët kanë analizuar se çfarë do të ndodhte nëse një armë bërthamore do të shpërthente në orbitën e ulët të Tokës.
Sipas studimit, një shpërthim i tillë mund të çaktivizonte deri në 99.4% të satelitëve brenda vetëm 15 ditësh, duke goditur rëndë infrastrukturën teknologjike, nga e cila varet jeta e përditshme. Pasojat do të përfshinin ndërprerjen e shërbimeve të telekomunikacionit, internetit satelitor, sistemeve të vëzhgimit të Tokës dhe një pjese të rëndësishme të shërbimeve të navigimit dhe parashikimit të motit.
Studiuesit kanë marrë në shqyrtim një skenar hipotetik ku një bombë bërthamore me fuqi 1 megaton shpërthen në një lartësi prej 500 kilometrash mbi Oqeanin Atlantik, pranë zonës së njohur si Anomalia e Atlantikut Jugor, ku fusha magnetike e Tokës është më e dobët. Pikërisht këto kushte do të favorizonin bllokimin e grimcave radioaktive në fushën magnetike të planetit, duke krijuar një brez artificial rrezatimi që do të vazhdonte të dëmtonte satelitët edhe shumë kohë pas shpërthimit.
Sipas simulimit, efektet do të ishin të menjëhershme dhe do të përkeqësoheshin me kalimin e ditëve. Brenda 24 orëve të para do të dilnin jashtë funksionit rreth 25% e satelitëve, ndërsa pas tri ditësh kjo shifër do të arrinte në 78%. Brenda një jave, 98% e tyre do të ishin të padobishëm, për të arritur në 99.4% pas 15 ditësh.
Edhe përdorimi i një arme me fuqi shumë më të vogël, prej 100 kilotonësh, nuk do ta shmangte katastrofën. Sipas studiuesve, edhe në këtë skenar neutralizimi i 99% të satelitëve do të ishte i mundur, por procesi do të zgjaste rreth një vit.
Një tjetër rrezik i madh do të ishte krijimi i mbeturinave hapësinore. Humbja e kontrollit të satelitëve dhe pamundësia për të kryer manovrat e nevojshme do të shtonin ndjeshëm mundësinë e përplasjeve në orbitë. Studiuesit parashikojnë rreth 20 përplasje gjatë dy viteve të para, ndërsa pas një dekade numri i copëzave të reja të mbeturinave që do të qarkullonin rreth Tokës mund të arrinte në 3,900.
Problemi do të ishte se satelitët e rinj të lëshuar për të zëvendësuar ata të dëmtuar do të përballeshin me të njëjtin rrezik, pasi rrezatimi dhe mbeturinat hapësinore do të vazhdonin të qëndronin në orbitë. Për këtë arsye, një shpërthim i vetëm mund të shkatërronte për vite me radhë funksionimin e infrastrukturës orbitale.
Pasojat do të ndiheshin drejtpërdrejt edhe në Tokë. Më shumë se 13 mijë satelitë në orbitën e ulët përdoren për shërbime jetike, duke nisur nga interneti satelitor dhe komunikimi në zona të largëta, deri te monitorimi i zjarreve, përmbytjeve, ndryshimeve klimatike dhe kushteve atmosferike. Ata shërbejnë gjithashtu për komunikimet ushtarake, mbikëqyrjen dhe mbledhjen e informacionit nga qeveritë.
Shkencëtarët kujtojnë se shpërthimet bërthamore në lartësi të mëdha nuk janë një skenar i paprovuar. Gjatë Luftës së Ftohtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik kryen gjithsej 18 prova bërthamore në lartësi të mëdha, disa prej të cilave në hapësirë.
Më e fuqishmja ishte prova amerikane “Starfish Prime”, e zhvilluar më 9 korrik 1962, kur një kokë bërthamore me fuqi 1.4 megaton shpërtheu në një lartësi prej rreth 400 kilometrash mbi Oqeanin Paqësor. Shpërthimi shkaktoi ndërprerje të energjisë elektrike dhe komunikimeve telefonike në Havai, ndërsa krijoi breza artificialë rrezatimi që dëmtuan disa satelitë. Efektet e tij u ndjenë për më shumë se pesë vjet.
Një vit më vonë, SHBA-të dhe Bashkimi Sovjetik nënshkruan Traktatin për Ndalimin e Pjesshëm të Testeve Bërthamore, që ndalonte testet bërthamore në atmosferë, në hapësirën e jashtme dhe nën ujë.
Shqetësimet janë rikthyer vitet e fundit pas raportimeve amerikane në vitin 2024 se Rusia po zhvillonte një kapacitet bërthamor kundër satelitëve. Moska i ka mohuar planet për vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë, por ka vënë veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që riafirmonte ndalimin e vendosjes së armëve bërthamore në orbitë.
Studiuesit paralajmërojnë se një ngjarje e ngjashme me atë të vitit 1962 do të kishte sot pasoja shumë më të mëdha, pasi numri i satelitëve në orbitë është rritur ndjeshëm dhe shoqëria moderne është shumë më e varur nga teknologjia hapësinore. Siç theksojnë ata, një shpërthim i vetëm mund të shkatërronte infrastrukturën orbitale, duke shkaktuar pasoja që do të zgjasnin për vite./ad
