Gjatë natës, në qytetin rus të Nizhnekamskut, në Republikën e Tatarstanit, është raportuar për një zjarr të përmasave të mëdha.
Mediat ukrainase kanë bërë të ditur se në zonë mund të ketë ndodhur një sulm me dronë, i cili dyshohet se ka pasur në shënjestër një prej objekteve industriale të qytetit.
Sipas dëshmive të disa banorëve, dronët kanë goditur një impiant industrial, që dyshohet të jetë kompleksi petrokimik Nizhnekamskneftekhim, në pronësi të kompanisë ruse të prodhimit të kimikateve Sibur.
Nizhnekamsku përbën një nga qendrat më të rëndësishme të industrisë petrokimike dhe të përpunimit të naftës në Rusi. Në këtë qytet ndodhen kompleksi Nizhnekamskneftekhim, si dhe disa rafineri të mëdha, mes tyre Taneco dhe Taif-Nk. Këto objekte kanë qenë edhe më parë në shënjestër të sulmeve ukrainase me dronë me rreze të gjatë veprimi.
Ndërkohë, tensionet janë shtuar edhe në Detin e Zi, ku tri anije tregtare janë goditur nga dronët më 13 dhe 14 nëntor, pranë brigjeve rumune. Sipas gazetës Kyiv Independent, sulmet dëmtuan një anije mallrash që po lundronte drejt Ukrainës, ndërsa në dy anije të tjera shpërthyen zjarre. Autoritetet rumune konfirmuan incidentet, por deri më tani nuk raportohet për viktima apo të plagosur. Origjina e dronëve mbetet ende e paqartë.
Incidenti i parë ndodhi më 13 nëntor, rreth orës 21:40 sipas orës lokale, kur anija Larissa 1, e regjistruar nën flamurin e Palaut, u godit rreth 12 kilometra larg bregdetit rumun, pranë Sfântu Gheorghe. Sipas televizionit rumun Digi24, anija ishte nisur drejt portit të Sulinës dhe destinacioni i saj përfundimtar ishte Ukraina.
Goditja shkaktoi dëmtime në një vinç ngarkimi në bordin e anijes. Kapiteni konfirmoi se asnjë prej pjesëtarëve të ekuipazhit nuk ishte lënduar dhe se nuk kishte pasur shpërthim zjarri.
Ministri rumun i Mbrojtjes, Ștefan-Radu Oprea, konfirmoi më 14 nëntor, gjatë një deklarate në portin ushtarak të Konstancës, se autoritetet ishin vënë në dijeni për ngjarjen dhe kishin nisur hetimet. Ai bëri të ditur gjithashtu se po monitorohej aktiviteti i dronëve në afërsi të territorit rumun, duke shtuar se një ditë më parë ishin dhënë të paktën dy alarme në qarkun e Tulçes.
Dy incidente të tjera u regjistruan mbrëmjen e 14 nëntorit, kur dy anije tregtare u goditën nga dronët pranë bregdetit rumun të Detit të Zi. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, të dyja anijet u përfshinë nga zjarri, por ekuipazhet arritën ta vinin situatën nën kontroll.
Anija cisternë Evia Petrol V, e cila lundronte nën flamurin grek, u godit rreth orës 21:10, afërsisht katër milje detare në lindje-juglindje të Sulinës. Rreth 35 minuta më vonë, u godit edhe anija transportuese e mallrave të thata Marsol, pranë kanalit të Sulinës. Zjarret në të dyja anijet u shuan nga ekuipazhet, ndërsa nuk u raportua për të lënduar.
Gjatë këtyre incidenteve, Ministria Rumune e Mbrojtjes njoftoi se kishte identifikuar një objektiv ajror në lindje të Ishullit të Gjarpërinjve, çka bëri që të ngriheshin në ajër dy avionë luftarakë F-16. Autoritetet lëshuan gjithashtu alarme për banorët e qarkut të Tulçes, për shkak të pranisë së dronëve në zonë.
Ngjarjet e fundit vijnë në një periudhë kur sulmet ndaj trafikut tregtar detar në Detin e Zi janë shtuar. Rumania, si anëtare e NATO-s dhe vend fqinj me Ukrainën përgjatë lumit Danub, ka mbajtur nën vëzhgim të vazhdueshëm aktivitetin ajror pranë territorit të saj që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të gjerë.
Ndërkohë, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar edhe te samiti i parashikuar të mbahet të enjten, më 19 nëntor, në Shenzhen të Kinës. Në takim pritet të marrin pjesë Vladimir Putin, Donald Trump dhe Xi Jinping, ndërsa në qendër të diskutimeve pritet të jenë rendi i ri botëror, armët bërthamore dhe siguria në Evropë./ad
