Planeti po përjeton gjithnjë e më shumë pasojat e ndryshimeve klimatike. Vera përvëluese, thatësirat e zgjatura, zjarret shkatërruese, përmbytjet dhe shkrirja e akullnajave nuk janë më paralajmërime për të ardhmen, por realiteti me të cilin po përballet njerëzimi.
Dhe parashikimet e reja të Kombeve të Bashkuara tregojnë se situata mund të bëhet edhe më shqetësuese.
“Për momentin, kemi ngrohje të shkaktuar nga aktiviteti njerëzor. Por, me politikat që kemi aktualisht në fuqi, nëse vazhdojmë kështu, në fund të këtij shekulli situate mund të përkeqësohet. Dhe ky është një lajm jashtëzakonisht i keq. Gjatë kësaj vere në Evropë, mijëra njerëz kanë humbur jetën nga valët e të nxehtit. Parashikimi I rritjes së temperatuarave do të thotë dyfishimin e ngrohjes që kemi sot”, tha Friederike Otto.
Pasojat janë të dukshme në të gjithë Evropën. Në Francë, shtrati i lumit Doubs është tharë në disa zona, ndërsa në Itali, temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë dëmtuar rëndë të mbjellat e orizit.
Bujqësia, burimet ujore dhe ekosistemet natyrore po përballen me presion gjithnjë e më të madh.
Shkencëtarët paralajmërojnë se për të ndalur rritjen e temperaturave, bota duhet të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si prodhon dhe konsumon energjinë.
“Për të stabilizuar temperaturat, pavarësisht se në çfarë niveli, duhet të ndalojmë djegien e lëndëve djegëse fosile. Vetëm dy konferenca klimatike më parë, pra dy vjet më parë, për herë të parë u përfshi në diskutim çështja e largimit nga përdorimi i lëndëve djegëse fosile. Kjo tregon se jemi ende shumë larg kuptimit se arritja e çdo objektivi klimatik është e mundur vetëm nëse ndalojmë djegien e tyre. Ndërkohë, në shumë vende po shohim të kundërtën: zgjerimin e mëtejshëm të përdorimit të lëndëve djegëse fosile”, tha Friederike Otto.
Një prej zhvillimeve që ka ndikuar në debatin ndërkombëtar për klimën është edhe ndryshimi i politikave energjetike në Shtetet e Bashkuara. Presidenti Donald Trump ka mbështetur publikisht përdorimin e qymyrit dhe ka njoftuar tërheqjen e vendit nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Për shkencëtarët, tërheqja amerikane nga angazhimet klimatike ka pasoja që shkojnë përtej kufijve të Shteteve të Bashkuara.
Sipas saj, ky qëndrim mund të ndikojë edhe në vendimmarrjen e vendeve të tjera.
“Mendoj se një nga ndikimet vërtet negative të politikave të Trumpit është, para së gjithash, mbi vetë amerikanët, të cilët tashmë po vuajnë edhe ata pasojat klimatike që nuk do t’i kishin përjetuar në të njëjtën masë pa ndryshimet klimatike. Por, mendoj gjithashtu se tërheqja e SHBA-së nga angazhimet e mëparshme ua bën më të lehtë shumë vendeve të tjera të thonë: nëse emetuesi më i madh nuk po bën asgjë, atëherë as ne nuk do të bëjmë asgjë. Kjo, sigurisht, nuk është logjike, sepse çdo ton karboni ka rëndësi dhe sa më të ulëta të jenë emetimet, aq më mirë. Por ky qëndrim i bën këto politika shumë më të pranueshme për të tjerët. Dhe mendoj se ky është një nga ndikimet më të rrezikshme”, tha Friederike Otto.
Viti 2026 ka sjellë një tjetër verë jashtëzakonisht të nxehtë në hemisferën veriore. Valët e të nxehtit kanë prekur shumë vende, ndërsa thatësirat dhe temperaturat e larta kanë shtuar rrezikun e zjarreve masive.
Në Greqi, Spanjë, Serbi dhe Maqedoninë e Veriut, flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha, duke kërcënuar banesa, komunitete dhe zona natyrore.
“Në vitin 2026, po dalim nga një verë vërtet jashtëzakonisht e nxehtë në hemisferën veriore, e cila ka sjellë shumë më tepër valë të të nxehtit nga sa do të kishim pasur pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu. Këtu përfshihen edhe valët e të nxehtit në oqeane, të cilat kanë pasoja të mëdha për ekosistemet, por edhe për industrinë dhe peshkimin. Kemi pasur gjithashtu një verë jashtëzakonisht të thatë. Të gjitha këto fenomene që po shohim këtë vit do të kishin qenë më pak të rënda nëse nuk do të ishte ndikimi i ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu”, tha Friederike Otto.
Por rreziku nuk kufizohet vetëm te thatësirat dhe zjarret. Në rajonin e Tibetit, një rrëshqitje masive balte dhe gurësh përfshiu një zonë të banuar, duke treguar se sa të kufizuara mund të jenë mundësitë e reagimit përballë fenomeneve që zhvillohen brenda pak minutash.
Shkencëtarët nënvizojnë se shkrirja e ngricave të përhershme, dobëson qëndrueshmërinë e terrenit malor dhe mund të shtojë rrezikun e shembjeve.
“Sistemet e paralajmërimit të hershëm që ekzistojnë, edhe në Nepal, janë projektuar për të paralajmëruar për përmbytje të zakonshme, por jo për një ngjarje si kjo, e cila ndodhi brenda pak minutash. Ky është një shembull se si nuk mund të përshtatemi ndaj gjithçkaje që ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu do të sjellin. Kjo ngjarje kishte, natyrisht, edhe shkaqe natyrore, por ndryshimet klimatike ishin padyshim një faktor i rëndësishëm, për shkak të shkrirjes së permafrostit, që destabilizon shkëmbinjtë”, tha Friederike Otto.
Ndërkohë, në Alpe, akullnajat po tërhiqen me ritme shqetësuese. Në malin Triglav të Sllovenisë, copëzat e fundit të akullit dëshmojnë ndryshimin e peizazhit malor, ndërsa edhe akullnaja e Rhonës në Zvicër po humbet vazhdimisht masën e saj.
Një proces që ndikon jo vetëm në biodiversitet, por edhe në rezervat ujore dhe ekuilibrat natyrorë.
Në këtë debat është përfshirë edhe zhvillimi i inteligjencës artificiale. Por, sipas Otto-s, teknologjia nuk mund të zëvendësojë vendimet politike dhe ndryshimet në sektorin energjetik.
“Inteligjenca artificiale do të na i zgjidhë problemet tona klimatike, sepse ajo që na nevojitet janë ndryshime në politika dhe largimi nga djegia e lëndëve djegëse fosile. Nëse përdorim një model të tillë gjuhësor përmes një qendre të dhënash që furnizohet me energji nga lëndët djegëse fosile, atëherë po e përkeqësojmë problemin, në vend që ta zgjidhim”, tha Friederike Otto.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në intensitetin e fenomeneve ekstreme është edhe El Niño, një fenomen natyror klimatik që shoqërohet me ngrohjen e ujërave të Oqeanit Paqësor dhe ndryshon modelet e motit në shumë rajone të botës.
“El Niño është një fenomen natyror klimatik, i cili nënkupton ngrohjen e ujërave të Paqësorit dhe ka ndikim të madh në sistemet atmosferike, veçanërisht në zonat tropikale. Për shembull, në Amazonë rritet rreziku i thatësirës, ndërsa në pjesë të tjera të botës, si në Afrikën Lindore, rritet rreziku i përmbytjeve. Ky fenomen po ndodh tani mbi një planet që po përballet me rritjen e temperaturave për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu. Kjo do të thotë se pasojat e El Niño-s bëhen më të forta për shkak të ngrohjes globale”, tha Friederike Otto.
Por ndryshimet klimatike nuk prekin të gjithë njësoj. Në shumë vende, komunitetet më të varfra dhe më të pambrojtura janë ato që paguajnë çmimin më të lartë. Thatësirat, përmbytjet dhe humbja e tokave bujqësore godasin drejtpërdrejt jetesën e miliona njerëzve.
“Mendoj se ndryshimet klimatike po ndodhin tani. Ato nuk janë më një çështje e së ardhmes, sepse njerëzit nuk kanë më nevojë për persona si unë që t’u flasin për ndryshimet klimatike. Mjafton të lexojnë çdo ditë titujt e gazetave për atë që po ndodh në botën tonë. Ajo që është më e rëndësishme është se ndryshimet klimatike po ndodhin kudo, në të gjithë botën. Por vuajtjet janë të përqendruara te njerëzit e varfër dhe grupet më të cenueshme. Ndryshimet klimatike janë një shembull tipik i padrejtësisë”, tha Ani Dasgupta, drejtor i World Resources Institute.
Në prag të konferencës së ardhshme të OKB-së për klimën, COP31, që do të zhvillohet në Turqi, një nga sfidat kryesore mbetet kalimi nga premtimet te veprimet konkrete. Raporti i OKB-së vlerëson se emetimet globale të gazeve serrë duhet të reduktohen me 18 për qind deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e vitit 2025, me 45 për qind deri në vitin 2035 dhe me 69 për qind deri në vitin 2040.
Por planet aktuale kombëtare parashikojnë ulje shumë më të kufizuara. Edhe përmbushja e plotë e angazhimeve ekzistuese nuk do të mjaftonte për të shmangur një ngrohje të konsiderueshme të planetit.
“Mendoj se një pjesë e madhe e diskutimeve këtë vit në konferencën COP do të përqendrohet te mënyra se si ambiciet që kemi tashmë mund të shndërrohen në rezultate konkrete në terren. Si do të financohen ato? Çfarë politikash nevojiten? Si do të përcaktohen objektivat për sektorë të veçantë? Mendoj se kjo do të jetë një nga çështjet kryesore që do të trajtohen”, tha Dasgupta.
Marrëveshja e Parisit synon mbajtjen e rritjes së temperaturës globale ndjeshëm nën 2 gradë Celsius dhe, mundësisht, kufizimin e saj në 1.5 gradë.
Por ky objektiv është tashmë jashtëzakonisht i vështirë për t’u arritur pa tejkalime të përkohshme të temperaturës, ndërsa rikthimi në nivelin 1.5 gradë deri në fund të shekullit do të kërkonte edhe heqjen e sasive të mëdha të karbonit nga atmosfera./mxh
