Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, për gjendjen e rënduar të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), institucionit përgjegjës për mbikëqyrjen e trafikut ajror në SHBA.
Në një reagim në platformën Truth Social, Trump e cilësoi administratën Biden si një “katastrofë” për FAA-në, duke ia atribuar asaj problemet që shkaktuan ndërprerjen për gati pesë orë të të gjitha fluturimeve në nivel kombëtar të premten, për shkak të problemeve të konstatuara në sistemet e komunikimit.
“Gjithçka që ata kanë prekur është përkeqësuar”, shkroi Trump, në komentin e tij të parë të drejtpërdrejtë për këtë incident.
Ndërkohë, trafiku ajror në SHBA po rikthehet gradualisht në normalitet, por vështirësitë vijojnë edhe këtë të diel. Sipas të dhënave të platformës FlightAware, rreth 1,421 fluturime të brendshme, drejt ose nga SHBA-ja, janë anuluar gjatë ditës së sotme, pothuajse dyfishi i 760 anulimeve që parashikoheshin të shtunën në mbrëmje.
Kompanitë ajrore po përpiqen të përballojnë vonesat e krijuara nga ndërprerja e së premtes. Administratori i FAA-së, Bryan Bedford, deklaroi një ditë më parë se pret që kompanitë ajrore të rikthehen në kapacitetin e plotë operacional deri të dielën në mbrëmje.
Ndërkohë, të shtunën u regjistruan 6,692 fluturime të anuluara, ndërsa të premten numri i tyre arriti në 9,201./mxh
