Last Updated on 16/11/2026 by EL
Pas muajsh të tërë spekulimesh dhe një procesi të gjatë përzgjedhjeje, është zbuluar emri i aktorit që do të pasojë Daniel Craig në rolin e agjentit legjendar 007. Bëhet fjalë për aktorin britanik Robert Pattinson, i cili është konfirmuar si James Bond-i i ri.
Në moshën 40-vjeçare, Pattinson do të bëhet aktori i shtatë që interpreton agjentin sekret në serinë zyrtare të filmave James Bond, duke marrë përsipër një prej roleve më të rëndësishme në historinë e kinemasë.
Lajmin e ka bërë të ditur Amazon MGM Studios, ndërsa vetë aktori ka reaguar me entuziazëm përmes një deklarate, duke e cilësuar këtë mundësi si një nga nderimet më të mëdha të karrierës së tij.
“Që të më besohet roli i 007 është nderi i jetës”, është shprehur Pattinson, duke falënderuar studion dhe ekipin krijues për besimin e dhënë.
Regjinë e filmit të ri do ta marrë Denis Villeneuve, i njohur për punën e tij në sagën “Dune”, ndërsa skenari po shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit të famshëm “Peaky Blinders”.
Villeneuve ka shprehur gjithashtu kënaqësinë për zgjedhjen e aktorit, duke theksuar se gjatë procesit të audicioneve u përballën me talente të jashtëzakonshme, por se Pattinson ka “shpirtin e përjetshëm të 007”.
Në garën për rolin e shumëdëshiruar ishin përmendur edhe emra të tjerë të njohur të kinemasë, mes tyre Josh O’Connor, Callum Turner dhe Jack Lowden, të cilët raportohet se kishin arritur deri në fazat përfundimtare të testimeve.
Pattinson është një emër tashmë i konsoliduar në industrinë e filmit. Ai u bë i famshëm në mbarë botën përmes sagës “Twilight”, ku interpretoi vampirin Edward Cullen, ndërsa më vonë dëshmoi potencialin e tij edhe në produksione të tjera të rëndësishme, përfshirë “The Batman”.
Filmi i ri i James Bond do të jetë i pari nën drejtimin krijues të Amazon MGM Studios, pas marrjes së kontrollit të ekskluzivitetit. Deri më tani nuk është bërë e ditur data zyrtare e publikimit./BBC
