Presidenti francez, Emmanuel Macron shënoi sot 10-vjetorin e njoftimit të kandidaturës presidenciale me një mesazh në X, një lloj retrospektive, duke deklaruar se ai kishte “bërë më të mirën e tij”, ndërsa pranoi se “ndonjëherë kishte bërë gabime”, gjashtë muaj para përfundimit të mandatit të tij të dytë.
Mes trazirave të përhapura sociale, pas protestave studentore dhe me çmimet e karburantit në rritje, popullariteti i Macron arriti pikën e tij më të ulët që nga viti 2017 në shtator, me vetëm 15% miratim.
“Dua t’u them atyre që nuk votuan për mua se në çdo moment bëra më të mirën time për të mirën e përgjithshme të vendit”, shkroi ai.
“Ndonjëherë ka pasur gabime”, pranoi ai, “por çdo ditë kemi punuar shumë, me shumë gra dhe burra të shquar, në shërbim të Francës dhe popullit francez”.
Gjatë 10 viteve të fundit, ai pohon se ka punuar “për të mbajtur premtimet e tij” dhe për të “kaluar krizat së bashku”.
Ky mesazh u publikua 10 vjet pas njoftimit të kandidaturës së tij, e cila synonte të kapërcente ndarjen majtas-djathtas, vetëm disa muaj pasi ai ishte larguar nga qeveria e socialistit François Hollande, ku kishte shërbyer si ministër i Ekonomisë.
Presidenti 48-vjeçar francez, i cili nuk është i kualifikuar të kandidojë për një mandat të tretë radhazi, do të përfundojë mandatin e tij të dytë pesëvjeçar më 13 maj.
Kandidatja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen, të cilën Emmanuel Macron e mundi dy herë në 2017 dhe 2022, është favoritja në zgjedhjet presidenciale pas gjashtë muajsh./mxh
