Një taksë e re mbi shitjen e ushqimeve në aktivitetet lokale ka shkaktuar reagime në Gjermani, ku në qendër të debatit janë vënë edhe zjarrfikësit vullnetarë. Rregullat e reja të TVSH-së mund t’i detyrojnë ata të paguajnë taksa për shitjen e salsiçeve gjatë festave të fshatrave dhe aktiviteteve të komunitetit.
Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi më 1 janar dhe burojnë nga neni 2b i Ligjit gjerman për TVSH-në. Sipas këtij përcaktimi, institucionet publike, përfshirë bashkitë dhe komunat, do të jenë përgjithësisht subjekt i TVSH-së kur kryejnë veprimtari tregtare.
Kjo do të thotë se, nëse një repart zjarrfikësish vullnetarë funksionon në varësi të bashkisë dhe jo si shoqatë e pavarur, shitjet e produkteve ushqimore gjatë aktiviteteve të organizuara prej tij mund të tatohen.
Që prej 1 janarit 2026, për ushqimet e shitura në fast-food dhe restorante zbatohet një normë e reduktuar TVSH-je prej 7%. Megjithatë, subjektet e prekura duhet të mbajnë evidenca të hollësishme për shitjet dhe të lëshojnë fatura.
Debati ka marrë edhe një dimension ironik. Në faqen “Kommunal.de”, Christian Erhardt-Maciejewski ka publikuar një koment satirik me titull “Urra, zyra e taksave po vë në zgarë zjarrfikësit”.
Ai ironizon se rregullat e reja mund t’i shtyjnë repartet zjarrfikëse të krijojnë shoqata mbështetëse vetëm për të vijuar shitjen e salsiçeve pa u përballur me detyrimet tatimore. Sipas tij, festat e zjarrfikësve mund të kthehen në aktivitete shoqatash, ndërsa përgjegjësi i skarës të marrë rolin e arkëtarit.
Në parlamentin e landit Schleswig-Holstein, CDU, të Gjelbrit dhe FDP kanë kërkuar pezullimin e zbatimit të rregullave të reja ose vendosjen e përjashtimeve shtesë.
“Nëse salsiçja në festën e zjarrit të Pashkëve kthehet në çështje për zyrën e taksave, atëherë diçka ka shkuar seriozisht keq”, deklaroi Christopher Vogt, kreu i grupit parlamentar të FDP-së, sipas transmetuesit NDR. Ai i kërkoi qeverisë së landit të ndërhyjë urgjentisht në mbështetje të vullnetarëve.
Ndërkohë, në landin Nordrhein-Westfalen ka pasur një zhvillim konkret. Ministri i Financave, Marcus Optendrenk, raportohet se ka nxjerrë një udhëzim që përjashton nga TVSH-ja shitjen e salsiçeve nga zjarrfikësit vullnetarë. “Kushdo që angazhohet vullnetarisht në zjarrfikëset lokale meriton mbështetje, jo burokraci”, u shpreh Optendrenk./mxh
