Me një cigare në dorë, syze dielli dhe i ulur rehat në një kolltuk lëkure, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është shfaqur në fotografi dhe video gjatë një vizite në një resort turistik dimëror pranë kufirit me Kinën. Pamjet u publikuan të martën nga mediat shtetërore të vendit.
Publikimi i këtyre imazheve vjen në një kohë kur presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të hapur mundësinë e një takimi të ri me liderin koreano-verior gjatë kësaj jave, në kuadër të vizitës së tij në Kinë.
“Është e mundur që të takohemi edhe me Kim Jong Un, dhe kjo do të ishte diçka e mirë”, deklaroi Trump për gazetarët para nisjes së udhëtimit. Ai shtoi se realizimi i një takimi të tillë do të varej edhe nga presidenti kinez, Xi Jinping.
Kujtojmë se Trump dhe Kim janë takuar tre herë gjatë mandatit të parë presidencial të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Sipas mediave shtetërore të Koresë së Veriut, Kim Jong Un vizitoi të dielën dhe të hënën zonën turistike të Samjiyonit, në pjesën veriore të vendit, pranë kufirit me Kinën. Ai shoqërohej nga familjarë dhe zyrtarë të Partisë së Punës në pushtet.
Në fotografitë dhe videot e publikuara nga agjencia zyrtare e lajmeve KCNA, lideri koreano-verior shfaqet i buzëqeshur, duke pirë cigare dhe duke shijuar pamjen, ndërsa pas tij qëndron bashkëshortja, Ri Sol Ju.
Në një tjetër fotografi shfaqet vajza e tij e vogël, Kim Ju Ae, duke bërë ski e veshur me një kostum të bardhë, por pa helmetë mbrojtëse. Prania e saj ka tërhequr vëmendje të veçantë, pasi shërbimi inteligjent i Koresë së Jugut ka vlerësuar se ajo po përgatitet të jetë pasardhësja e të atit në drejtimin e vendit.

Qyteti i Samjiyonit ndodhet pranë kufirit me Kinën dhe jo larg malit Paektu, i cili konsiderohet nga koreano-veriorët si një vend i shenjtë. Sipas historisë zyrtare të vendit, aty ka lindur babai i liderit aktual, Kim Jong Il.
Gjatë vizitës në kompleksin turistik, ku përfshihen pista skish dhe hotele, Kim u shpreh i kënaqur me cilësinë e ndërtimeve. Sipas KCNA-së, ai vlerësoi se të gjitha objektet ishin ndërtuar me kujdes të veçantë ndaj detajeve dhe se infrastruktura ishte në gjendje të shkëlqyer.
Agjencia shtetërore raportoi gjithashtu se lideri u impresionua nga peizazhi, të cilin e krahasoi me një qytet të ndërtuar mes pyjeve.
Sa të mëdha janë gjasat për një takim me Trump?
Pavarësisht përkimit në kohë të vizitës së Kim Jong Unit pranë kufirit kinez me udhëtimin e Donald Trump në Kinë, analistët vlerësojnë se deri tani nuk ka shenja konkrete që dy liderët do të takohen gjatë kësaj jave.
Kina po pret samitin e Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në qytetin jugor të Shenzhenit, i cili ndodhet më shumë se 2,500 kilometra larg Samjiyonit në vijë ajrore.
Hong Min, studiues i lartë në Institutin e Koresë për Bashkimin Kombëtar, deklaroi për agjencinë AFP se njoftimi i publikuar nga KCNA nuk përmban asnjë mesazh të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara.
“Deklarata e KCNA-së nuk përmban asnjë mesazh drejtuar SHBA-së dhe nuk ka shenja të përgatitjeve për një takim”, u shpreh ai.
Sipas studiuesit, vizita e Kim Jong Unit në resortin turistik vështirë se mund të konsiderohet si një përgatitje për një takim të mundshëm mes liderëve të Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara gjatë kësaj jave./ad
