Last Updated on 17/11/2026 by EL
Gjykata e Lartë në Beograd ka lëshuar urdhër-arrest për Milan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe dhe ka vendosur ndaj tij masën e ‘arrestit me burg’.
Lajmi është konfirmuar për median “Insajder” nga Gjykata e Lartë në Beograd. Sipas gjykatës, vendimi është marrë pasi Radoiçiç, i cili është nën hetim për përfshirjen në sulmin e armatosur në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, nuk është paraqitur më 15 nëntor në komisariatin e policisë, në zbatim të masës ‘detyrim paraqitje’.
Paraqitja periodike në polici ishte një nga masat e sigurisë të vendosura nga gjykata, me qëllim garantimin e pranisë së tij gjatë zhvillimit të hetimeve, raporton “Insajder”.
Më herët, BIRN raportoi se ish-nënkryetari i Listës Serbe nuk ishte paraqitur në Polici të dielën, më 15 nëntor, në komisariatin e policisë në Savski Venac. Atë ditë, ai duhej të konfirmonte se ndodhej ende në vendbanimin e deklaruar, në përputhje me detyrimin e vendosur nga gjykata.
Deri më tani, Radoiçiçi ishte paraqitur rregullisht në këtë komisariat në datat 1 dhe 15 të çdo muaji. Javën e kaluar, Gjykata e Lartë në Beograd konfirmoi për televizionin N1 se komisariati i Savski Venacit e kishte njoftuar, përmes një shkrese të datës 4 nëntor, se Radoiçiçi ishte paraqitur për herë të fundit më 1 nëntor.
Pasaporta e tij ndodhet pranë Gjykatës së Lartë në Beograd, e cila i kishte caktuar edhe detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në polici, në kuadër të procedimit penal lidhur me ngjarjet në Banjskë, shkruan Danas.
Ndërkohë, të hënën, Gjykata e Lartë i bëri të ditur BIRN-it se po monitoron zbatimin e masës së sigurisë dhe, në bashkëpunim me autoritetet kompetente, po ndërmerr të gjitha veprimet e parashikuara me ligj. Megjithatë, gjykata nuk dha një përgjigje nëse Radoiçiçi ishte paraqitur apo jo në polici të dielën.
Rikujtojmë se Milan Radoiçiqi është nën hetim në çështjen “Banjska”, që lidhet me një sulm të armatosur nga kriminelë serbë, që ndodhi në këtë fshat në Kosovën veriore më 24 shtator 2023. Në atë rast u vranë katër persona: tre anëtarë të grupit të armatosur dhe një pjesëtar i Policisë së Kosovës./et
