Tashmë që Robert Pattinson është shpallur si agjenti i ri 007, vëmendja po zhvendoset te një tjetër pyetje: kush do të jetë aktorja që do ta shoqërojë në filmin e ardhshëm të James Bond?
Pas lajmit për zgjedhjen e Pattinson në rolin e agjentit më të famshëm britanik, kanë nisur spekulimet edhe për emrin e aktores që mund të marrë rolin e radhës të Bond Girl. Një personazh që prej dekadash është pjesë e pandashme e kësaj sage filmike dhe që ka sjellë disa prej paraqitjeve më të paharrueshme në historinë e kinemasë.
Nga Ursula Andress në Dr. No (1962) dhe Honor Blackman në Goldfinger (1964), te Michelle Yeoh në Tomorrow Never Dies (1997) dhe Eva Green në Casino Royale (2006), roli ka kaluar në duart e aktoreve që kanë lënë gjurmë në ekran. Tani, me një James Bond të ri, fansat kanë nisur të përmendin emrat që mund të jenë pjesë e kapitullit të ardhshëm.
Sigurisht, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar, por këto janë disa nga kandidaturat që po përfliten më shumë.
Zendaya
Aktorja është ndër emrat më të përfolur, veçanërisht falë bashkëpunimit me regjisorin Denis Villeneuve në filmat Dune. Si një prej yjeve më të kërkuara të brezit të saj, Zendaya do të ishte një zgjedhje që do të tërhiqte vëmendje të madhe.
Daisy Edgar-Jones
Që prej suksesit me Normal People, karriera e saj ka marrë një drejtim gjithnjë e më të rëndësishëm. Pas roleve në Twisters dhe Sense and Sensibility, një pjesëmarrje në universin e James Bond mund të ishte një tjetër hap i madh për aktoren.
Sarah Pidgeon
Pas vlerësimeve pozitive për interpretimin e Carolyn Bessette-Kennedy, Sarah Pidgeon është bërë një nga emrat që po tërheqin vëmendje. Një rol në një film të James Bond do të ishte një mundësi për ta çuar më tej karrierën e saj.
Zoë Kravitz
Ajo ka dëshmuar se mund të përballojë role dinamike dhe personazhe me një prani të fortë në ekran. Interpretimi i saj si Catwoman në The Batman është një prej arsyeve pse emri i saj përmendet si një mundësi interesante për rolin.
Margaret Qualley
E nominuara dy herë për çmimin Emmy është gjithashtu në listën e emrave që po diskutohen. Performanca e saj në homazhin muzikor për James Bond gjatë ceremonisë së Çmimeve Oscar 2025 tërhoqi vëmendjen e fansave, ndërsa bashkëpunimi me regjisorë të njohur si Quentin Tarantino i ka shtuar pikë karrierës së saj.
Florence Pugh
Aktorja britanike, e nominuar për çmimin Oscar, ka treguar se mund të përshtatet me personazhe dhe zhanre të ndryshme. Me përvojën e saj në filma aksion dhe drama, Pugh shihet si një tjetër emër që mund t’i përshtatej botës së agjentit 007.
Anya Taylor-Joy
Ylli i The Queen’s Gambit është prej kohësh një nga të preferuarat e publikut. Me role në produksione të mëdha si Furiosa: A Mad Max Saga dhe projekte të tjera të rëndësishme, ajo ka fituar një profil që mund ta bëjë një zgjedhje interesante për filmin e ardhshëm.
Dakota Johnson
Me humorin karakteristik dhe sharmin e saj, Dakota Johnson do të sillte një energji tjetër në këtë univers filmik. Edhe pse emri i saj është më shumë pjesë e spekulimeve, fansat duket se e shohin si një mundësi tërheqëse.
Rosalía
Këngëtarja spanjolle ka zgjeruar gjithnjë e më shumë aktivitetin e saj në aktrim, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në Euphoria. Prania e saj në një film të James Bond do të ishte një zgjedhje më e pazakontë, por që do të sillte vëmendje të madhe.
Margot Robbie
Aktorja dhe producentja australiane është një nga figurat më të rëndësishme të Hollywood-it. Përvoja e saj në role të ndryshme, si edhe suksesi pas kamerave, e bëjnë Margot Robbie një prej emrave që fansat do të dëshironin ta shihnin në këtë rol.
Sydney Sweeney
Sydney Sweeney është një tjetër emër që ka hyrë në diskutim. Trina Parks, e cila interpretoi një Bond Girl në Diamonds Are Forever (1971), ka shprehur mbështetjen për aktoren, duke vlerësuar pavarësinë dhe vetëbesimin që ajo përcjell.
Edhe vetë Sweeney ka pranuar se është një fanse e madhe e sagës James Bond. E pyetur për mundësinë e përfshirjes në një prej filmave të ardhshëm, ajo u shpreh se gjithçka do të varej nga skenari.
Për momentin, asnjëri prej këtyre emrave nuk është konfirmuar. Megjithatë, pas zgjedhjes së Robert Pattinson si agjenti i ri 007, mbetet për t’u parë se kush do të jetë aktorja që do t’i bashkohet atij në këtë kapitull të ri të sagës./k.m
