Last Updated on 18/11/2026 by EL
Fillimisht dolën jashtë funksionit emailet e Microsoft Outlook. Më pas, avionët u ndaluan në tokë pas problemeve në sistemin e Administratës Federale të Aviacionit. Probleme pati edhe në sistemin bankar të Chase Bank.
Tashmë, vështirësi teknike janë raportuar edhe në sistemet kompjuterike të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, NSA-së. Një seri incidentesh që kanë ngritur pikëpyetje në Shtetet e Bashkuara: bëhet fjalë për defekte të rastësishme apo për një kërcënim më të madh kibernetik?
Deri më tani, nuk ka prova që këto ngjarje të kenë lidhje me njëra-tjetrën dhe asnjë prej tyre nuk është konfirmuar si sulm kibernetik. Megjithatë, njëra pas tjetrës, ato kanë shtuarshqetësimin për sigurinë e infrastrukturës digjitale amerikane.
Në Kongres, zërat për një hetim janë shtuar. Kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, kërkoi që administrata Trump të informojë ligjvënësit për incidentet dhe mundësinë e përfshirjes së aktorëve armiqësorë.
Edhe senatori republikan James Lankford kërkoi hetim, duke theksuar se është e vështirë që një numër kaq i madh problemesh të konsiderohet thjesht rastësi.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump i minimizoi shqetësimet, duke i cilësuar këto probleme si pjesë të realitetit të një vendi të madh. Zëvendëspresidenti JD Vance gjithashtu u përpoq të qetësonte qytetarët, duke thënë se administrata nuk sheh shenja të një krize të afërt, megjithëse pranoi se disa prej miqve të tij e kishin pyetur nëse duhej të siguronin ushqime, ujë apo edhe të ndërtonin bunkerë.
Ekspertët e teknologjisë paralajmërojnë se infrastruktura e vjetër dhe varësia gjithnjë e më e madhe nga sistemet digjitale i bëjnë këto ndërprerje veçanërisht problematike.
Pavarësisht shqetësimeve dhe kërkesave për hetim, deri më tani nuk është konfirmuar asnjë sulm kibernetik dhe asnjë lidhje mes incidenteve. Autoritetet amerikane vijojnë verifikimet për të përcaktuar shkaqet e ndërprerjeve. /et
