Gjashtë vite pas humbjes së bashkëshortes së tij, Kelly Preston, aktori i njohur John Travolta ka bërë një rrëfim të rrallë për jetën sentimentale, duke pranuar se është i hapur për të përjetuar sërish dashurinë.
Gjatë një interviste në emisionin “Today”, me Craig Melvin, 72-vjeçari u pyet nëse e mendon mundësinë për të nisur një lidhje të re. Përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë: “Dashuria është gjithçka, është pjesë e personalitetit tim. A jam i hapur ndaj saj? Po.”
Megjithatë, aktori pranoi se vitet e fundit kanë qenë të përqendruara kryesisht te familja dhe fëmijët e tij. Pas ndarjes nga jeta të Kelly-t, ai mori përsipër të kujdesej i vetëm për dy fëmijët e tyre, Ella dhe Benjamin, të cilët në atë kohë ishin ende të vegjël.
“Për të qenë i sinqertë, kanë qenë gjashtë vite interesante, duke u kujdesur për djalin tim, i cili ishte vetëm nëntë vjeç kur ndodhi kjo, dhe për vajzën time Ella, e cila ishte edhe më e vogël”, tregoi Travolta.
Aktori i “Grease” foli gjithashtu për vështirësinë e të qenit njëkohësisht figurë atërore dhe amësore për fëmijët pas humbjes së nënës së tyre.
“Kur njëri nga prindërit largohet nga jeta, ti bëhesh edhe nënë, edhe baba. E ndjeva këtë në një mënyrë shumë të fortë, por duhet të mbledhësh veten dhe të vazhdosh përpara”, u shpreh ai.
Travolta shtoi se gjendja e fëmijëve është përmirësuar gradualisht me kalimin e viteve, duke theksuar se ata po bëhen gjithnjë e më të lumtur dhe po e përballojnë më mirë humbjen.
Kelly Preston u nda nga jeta më 13 korrik 2020, në moshën 57-vjeçare, pas një beteje dyvjeçare me kancerin e gjirit. Ajo dhe John Travolta kishin tre fëmijë: Jett, i cili ndërroi jetë në moshën 16-vjeçare, Ella Bleu, 26 vjeçe, dhe Benjamin, 15 vjeç.
Çifti u njoh në vitin 1989, gjatë audicionit për filmin “The Experts”, ku luajtën së bashku. Dy vite më vonë, në vitin 1991, ata kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë, duke qëndruar së bashku deri në ndarjen nga jeta të aktores./mxh
