Princi William dhe Kate Middleton kanë qenë në qendër të vëmendjes gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Earthshot Prize”, e zhvilluar në Mumbai të Indisë. Çifti mbretëror u shfaq në tapetin e gjelbër të eventit, duke tërhequr vëmendjen si me elegancën, ashtu edhe me zgjedhjet e tyre të modës.
Mbrëmja madhështore, e organizuar në Jio World Convention Centre, mblodhi rreth 5 mijë të ftuar, mes të cilëve figura të njohura nga bota e artit, sportit dhe muzikës. “Earthshot Prize” është një nismë e krijuar nga Princi William, që synon të promovojë zgjidhje inovative për mbrojtjen e planetit.
Protagoniste e mbrëmjes për sa i përket stilit ishte padyshim Princesha Kate. Ajo zgjodhi një veshje tradicionale indiane të modelit Anarkali, të firmosur nga stilistja Mahima Mahajan. Fustani në ngjyrë të kuqe të errët ishte realizuar me mëndafsh të punuar me dorë dhe zbukurohej nga qëndisje delikate dhe ornamente të arta, duke reflektuar elegancën e traditës indiane.
Një tjetër detaj që nuk kaloi pa u vënë re ishin bizhuteritë e saj. Kate kishte zgjedhur një set luksoz me diamante dhe smeralde, i përbërë nga gjerdani dhe vathët që dikur i përkisnin Mbretëreshës Elizabeth II. Përmes kësaj zgjedhjeje, princesha i dha paraqitjes së saj edhe një vlerë të veçantë simbolike.
Edhe Princi William iu përshtat atmosferës së mbrëmjes, duke u paraqitur me një xhaketë tradicionale indiane Bandhgala, të krijuar nga stilisti Manish Malhotra. Veshja karakterizohej nga kopsa me punim artizanal dhe detaje të realizuara me dorë.
Përveç paraqitjes elegante, çifti tërhoqi vëmendjen edhe me momentet e afërsisë para fotografëve, ku William u shfaq me krahun rreth belit të bashkëshortes së tij. Më pas, ata përshëndetën të pranishmit dhe zhvilluan një takim me kryeministrin e shtetit të Maharashtra, Devendra Fadnavis.
Mes personaliteteve që morën pjesë në këtë event ishin aktori Rami Malek, legjenda e kriketit Sachin Tendulkar, aktoret Alia Bhatt dhe Sonam Kapoor, si dhe Simone Ashley, e njohur për rolin e saj në serialin “Bridgerton”./mxh
