Last Updated on 18/11/2026 by EL
Politologu Ermal Hasimja, ka kritikuar politikat ekonomike të qeverisë, duke paralajmëruar se në muajt mars dhe prill qytetarët do të përballen me një situatë më të vështirë sa i përket çmimeve dhe kostos së jetesës.
Hasimja deklaroi se në prill duhet të bëhet një analizë e fuqisë blerëse, kostos së jetesës dhe ndikimit të masave të ndërmarra nga qeveria, veçanërisht për pensionistët.
Sipas tij, nëse rezultatet nuk tregojnë përmirësim, qeveria do të gjejë justifikime të tjera, duke ia faturuar përgjegjësinë protestave, opozitës apo luftës në Iran.
“Do flasim nga marsi, do ta shikojmë çështjen e çmimeve. Në prill do të jetë edhe më keq se në mars. Në mars-prill do të bëjmë një ushtrim të thjeshtë, do marrim dhe do llogarisim fuqinë blerëse, koston e jetesës edhe të një pensionisti, meqë qeverisë po i ‘qan zemra’ për pensionistët, dhe do të shikojmë në prill se çfarë ndodh. A është rritur fuqia blerëse? A janë ulur çmimet? A është ulur kostoja e jetesës?”, u shpreh Hasimja në “Off the Record”.
Ai shtoi se ulja e TVSH-së për produktet e shportës bazë, e prezantuar nga qeveria si një masë për lehtësimin e kostos së jetesës, sipas tij, nuk do të ketë ndikimin e pretenduar.
“Kur të rezultojë që kjo s’ka ndodhur, do të thonë fajin e kanë protestat, fajin e ka opozita e poshtër, fajin e ka lufta në Iran, Saliu po se po. E keqja është që qeveria e ka llogaritur që këta njerëz do të gënjehen edhe kësaj here, që ulën TVSH-në, por s’ka për të pasur ndonjë lloj impakti aty, për 100 arsye”, deklaroi politologu. /et
