Nga Leonard Veizi
28 tetor 1962. Bota mori frymë disi më e lehtësuar. Pas dymbëdhjetë ditësh përballjeje që e kishin çuar njerëzimin në prag të një lufte bërthamore, Bashkimi Sovjetik pranoi të tërhiqte raketat e tij nga Kuba. Presidenti amerikan Xhon Kenedi dha fund bllokadës detare, të cilën Uashingtoni e kishte quajtur zyrtarisht “karantinë”. Kriza e Raketave në Kubë po mbyllej, por hija e shkatërrimit bërthamor do të mbetej gjatë mbi marrëdhëniet ndërkombëtare.
Gjithçka kishte nisur në tetor, kur avionët amerikanë të zbulimit U-2 fotografuan instalimin e bazave sovjetike të raketave bërthamore në territorin kubanez. Ishte një zbulim që ndryshoi menjëherë llogaritë strategjike të Uashingtonit. Kuba, vetëm rreth 150 kilometra larg brigjeve të Floridës, po shndërrohej në një platformë të mundshme për goditje bërthamore kundër Shteteve të Bashkuara.
Pas revolucionit kuban të vitit 1959 dhe dështimit të zbarkimit të kundërshtarëve të Kastros në Gjirin e Derrave më 1961, Havana ishte afruar gjithnjë e më shumë me Moskën. Nikita Hrushovi e shihte vendosjen e raketave si një mënyrë për të mbrojtur Kubën, por edhe për të ndryshuar ekuilibrin strategjik me amerikanët, të cilët kishin vendosur raketa bërthamore në Turqi, pranë kufijve sovjetikë.
Më 22 tetor, Kenedi iu drejtua popullit amerikan dhe njoftoi vendosjen e një bllokade detare ndaj Kubës. Anijet amerikane u pozicionuan për të ndaluar transportet që mund të sillnin armë të tjera sovjetike. Në të dyja anët e oqeanit, ushtritë u vunë në gatishmëri. Bota ndiqte me ankth lëvizjen e anijeve, deklaratat e udhëheqësve dhe çdo sinjal që mund të paralajmëronte fillimin e luftës.
Kulmi i krizës erdhi më 27 tetor, ditën që më vonë do të quhej “E shtuna e zezë”. Një avion amerikan U-2 u rrëzua mbi Kubë nga mbrojtja kundërajrore sovjetike dhe piloti humbi jetën. Në të njëjtën kohë, një nëndetëse sovjetike, e ndjekur nga anijet amerikane, ndodhej në një situatë tejet të rrezikshme. Në bord kishte edhe një silur bërthamor. Vetëm kundërshtimi i oficerit sovjetik Vasili Arhipov ndaj përdorimit të armës ndihmoi në shmangien e një përshkallëzimi katastrofik.
Më 28 tetor, Hrushovi njoftoi se Moska do të çmontonte dhe tërhiqte raketat nga Kuba. Në këmbim, Kenedi dha garanci se Shtetet e Bashkuara nuk do ta pushtonin ishullin. Një marrëveshje e fshehtë parashikonte gjithashtu tërheqjen e raketave amerikane Jupiter nga Turqia. Kriza e drejtpërdrejtë mori fund, ndërsa karantina detare amerikane u hoq zyrtarisht vetëm më 20 nëntor, pas përfundimit të tërheqjes së armëve sovjetike.
Por historia e kësaj përballjeje nuk është thjesht historia e një fitoreje diplomatike. Është një paralajmërim për kufijtë e papërgjegjshmërisë politike. Dy superfuqi, të pajisura me arsenale të afta të zhduknin qytete dhe të shkatërronin miliona jetë, e kishin kthyer planetin në një tryezë pokeri, ku secila palë testonte nervat e tjetrës.
Në atë tetor të vitit 1962, fati i njerëzimit varej nga vendimet e një grushti njerëzish, por edhe nga gjykimi i disa ushtarakëve që refuzuan të ndërmerrnin hapin fatal. Nuk ishte vetëm diplomacia ajo që shpëtoi botën. Ishte edhe përmbajtja në çastin kur një gabim, një urdhër i nxituar apo një interpretim i gabuar mund të shkaktonte një katastrofë pa kthim.
Kriza e Kubës tregoi se në epokën bërthamore nuk ka fitues të vërtetë të një lufte mes fuqive atomike. Mund të ketë vetëm të mbijetuar. Dhe kjo është një e vërtetë që, më shumë se gjashtë dekada më vonë, vazhdon të tingëllojë si një paralajmërim për çdo udhëheqës që e ngatërron fuqinë ushtarake me të drejtën për të rrezikuar botën.
