Lufta në Ukrainë po shkakton pasoja gjithnjë e më të rënda për fëmijët. UNICEF ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar-tetor 2026, të paktën 114 fëmijë janë vrarë dhe 1,030 të tjerë janë plagosur si pasojë e luftimeve dhe sulmeve në vend.
Sipas të dhënave të publikuara nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, bëhet fjalë për nivelin më të lartë të viktimave mes fëmijëve në gati katër vitet e fundit. Shifrat bazohen në rastet e konfirmuara nga Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së në Ukrainë.
Mesatarisht, më shumë se tre fëmijë vriten ose plagosen çdo ditë. Situata është përkeqësuar edhe më tej gjatë muajit të fundit, kur të paktën 146 fëmijë u vranë ose u plagosën në zona të ndryshme të vendit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, viktimat janë rritur me 150%.
UNICEF e ka cilësuar këtë situatë si një përshkallëzim shqetësues të dhunës ndaj fëmijëve, të cilët mbeten ndër kategoritë më të ekspozuara ndaj pasojave të luftës.
Edhe gjatë muajit nëntor janë regjistruar sulme me pasoja të rënda për popullsinë civile. Më 2 nëntor, një sulm ndaj një kompleksi shkollor në juglindje të Ukrainës, ku ishte ngritur një strehë nëntokësore dhe shpërndahej ndihmë humanitare, raportohet se shkaktoi 72 viktima. Katër persona rezultojnë ende të zhdukur.
Ndërkohë, një tjetër sulm më 13 nëntor në qytetin e Zaporizhias i mori jetën një 17-vjeçari dhe la të plagosur tetë fëmijë të tjerë.
Përveç viktimave në radhët e civilëve, UNICEF paralajmëron edhe për dëmet në infrastrukturën jetike. Sipas organizatës, sulmet e verifikuara ndaj infrastrukturës energjetike që prej fillimit të vitit kanë arritur nivelin më të lartë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022./k.m
