Arta Bajrami ka ndarë një mesazh të rëndësishëm për autizmin, duke folur hapur për përvojën e saj si nënë e dy fëmijëve me këtë spektër. E ftuar në emisionin “Live me Luizin” në Top Channel, këngëtarja u ndal te mënyra se si prindërit mund ta përjetojnë dhe ta pranojnë autizmin, duke dhënë një këndvështrim që meriton vëmendje.
Arta, e cila ka qenë ndër personazhet publike shqiptare që kanë folur hapur për këtë temë, u shpreh se gjëja e parë që do t’u këshillonte prindërve është të mos e shohin autizmin si një fatkeqësi. Përkundrazi, ajo i ftoi ta pranojnë fëmijën dhe botën e tij, pa e kthyer këtë përvojë në vuajtje.
“Autizmin mos e merrni si fatkeqësi. Së pari, këtë do t’ua jepja si këshillë prindërve që kanë fëmijë me autizëm, le ta shohin si një lloj bekimi, sepse ata janë në botën e tyre. Unë mendoj se janë e ardhmja e botës, sepse kanë një botë të tyren, funksionojnë ndryshe, mendojnë ndryshe, nuk dinë të të gënjejnë, janë të drejtpërdrejtë. Janë karaktere të veçanta”, u shpreh këngëtarja.
Ajo tregoi se pikërisht ky këndvështrim e ka ndihmuar të ndërtojë forcën e saj dhe të përballet me përvojën e mëmësisë.
“Kështu e kam ndërtuar veten, kështu e kam bërë veten të fortë, sepse dua të hyj në botën e autizmit, ta pranoj dhe të kënaqem me autizmin, jo të vuaj me autizmin”, tha Arta.
Këngëtarja foli edhe për reagimin që ka marrë nga publiku që kur ka vendosur të ndajë hapur këtë pjesë të jetës së saj. Ajo tregoi se ka marrë mesazhe të panumërta nga shqiptarë anembanë botës, të cilët kanë fëmijë në spektër dhe që kanë gjetur te rrëfimi i saj një arsye për të folur më lirshëm për përvojën e tyre.
“Kam marrë shumë mesazhe në rrjetet sociale, të panumërta, nga shqiptarë anembanë botës që kanë fëmijë me autizëm. Ka një solidarizim dhe një lloj lirshmërie dhe më vjen mirë që e kanë pranuar dhe tani flasin hapur nëse kanë një fëmijë me autizëm”, tregoi ajo.
Duke folur publikisht për dy fëmijët e saj, Arta Bajrami është bërë pjesë e një bisede që shumë familje ende e kanë të vështirë ta nisin. Dhe ndoshta ky është mesazhi më i rëndësishëm: dashuria gjithmonë ia del, dhe jo, fëmijët nuk *vuajnë* nga autizmi, thjesht e kanë atë. Megjithatë, pranimi nuk e përjashton rëndësinë e mbështetjes, kujdesit dhe mundësive që çdo fëmijë në spektër meriton./k.m
