Demokratët në Shtetet e Bashkuara po përgatiten të përdorin fuqinë e Kongresit për të detyruar presidentin Donald Trump t’i japë fund luftës me Iranin, duke synuar të ndërpresin financimin federal për operacionet ushtarake.
Nisma mund të vihet në lëvizje që në muajin dhjetor, përpara se demokratët të marrin zyrtarisht kontrollin e të dy dhomave të Kongresit më 3 janar. Megjithatë, strategjia ka hapur debate brenda vetë Partisë Demokratike, pasi rrezikon të shkaktojë një tjetër mbyllje të qeverisë federale, në një kohë kur amerikanët po përballen edhe me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.
Përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, demokratët kishin premtuar se do të punonin për t’i dhënë fund konfliktit, ndërsa qëndrimi kundër luftës u bë një prej temave të fushatës së tyre. Pas fitores në zgjedhje dhe marrjes së shumicës si në Senat, ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, disa ligjvënës paralajmëruan se nuk do të miratojnë fonde të reja për vazhdimin e luftës, pasi të marrin kontrollin e Kongresit. Por një grup demokratësh kërkon të veprojë edhe më herët, duke shfrytëzuar afatin e 11 dhjetorit, kur Kongresi duhet të miratojë një paketë financimi për të garantuar funksionimin e agjencive federale.
Përfaqësuesit Yassamin Ansari dhe Ro Khanna u kanë kërkuar kolegëve të tyre që të mos miratojnë asnjë paketë financimi, nëse ajo nuk përmban një ndalim të qartë të përdorimit të parave publike për operacionet sulmuese në Iran. Sipas tyre, taksat e qytetarëve amerikanë nuk duhet të përdoren për të zgjatur konfliktin. Nëse Kongresi nuk arrin të miratojë paketën deri më 11 dhjetor, financimi i disa institucioneve federale do të ndërpritet dhe qeveria do të përballet me një mbyllje të mundshme që nga 12 dhjetori.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe senatori Chris Van Hollen, i cili ka kërkuar që çdo projektligj financimi të përmbajë kufizime për administratën Trump, në mënyrë që ajo të mos përdorë fondet e miratuara nga Kongresi për të vazhduar luftën. Deklaratën e kanë mbështetur edhe senatorët Tammy Duckuorth, Michael Bennet dhe Bernie Sanders.
Për të argumentuar strategjinë e tyre, demokratët po rikthejnë në vëmendje një precedent historik: përfundimin e ndërhyrjes amerikane në Vietnam përmes ndërprerjes së financimit. SHBA-të u përfshinë në konfliktin e Vietnamit në mbështetje të Vietnamit të Jugut, ndërsa në vitin 1964 Kongresi i dha presidentit Lyndon B. Johnson autorizimin për të dërguar trupa, pa shpallur zyrtarisht luftë.
Me kalimin e viteve, konflikti u bë gjithnjë e më jopopullor në opinionin publik amerikan, për shkak të humbjeve të mëdha njerëzore dhe raportimeve për krime të kryera nga ushtria amerikane. Në vitin 1973, Kongresi miratoi amendamentin Case-Church, i cili ndalonte përdorimin e fondeve federale, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për vazhdimin e luftës. Ky vendim kufizoi mundësinë e administratës së presidentit Richard Nixon për të vijuar ndërhyrjen ushtarake dhe u pasua nga rënia e qeverisë së Vietnamit të Jugut në prill të vitit 1975.
Megjithatë, jo të gjithë demokratët janë të gatshëm të rrezikojnë mbylljen e qeverisë për të ndalur luftën. Rosa DeLauro, e cila në Kongresin e ri pritet të drejtojë Komisionin e rëndësishëm të Buxhetit në Dhomën e Përfaqësuesve, ka mbështetur idenë e ndërprerjes së financimit për operacionet në Iran, por nuk ka dalë në favor të një mbylljeje të qeverisë.
Ajo ka propozuar që në vend të një pakete financimi afatgjatë të miratohet një zgjatje e përkohshme, duke argumentuar se qytetarët amerikanë mund të mos e shohin bllokimin e institucioneve si një mënyrë për t’i dhënë fund luftës. Ndërkohë, drejtuesi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, dhe kreu i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, ende nuk kanë mbajtur një qëndrim të qartë për këtë strategji.
Një tjetër pengesë për demokratët është e drejta e vetos së presidentit. Republikanët do të vazhdojnë të kontrollojnë Kongresin edhe për disa javë, ndërsa as përbërja aktuale dhe as ajo e ardhshme nuk u japin demokratëve shumicën prej dy të tretash që nevojitet për të rrëzuar një veto presidenciale. Në Senatin e ri, ku demokratët pritet të kenë 56 vende kundrejt 44 të republikanëve, atyre do t’u duhen edhe 11 vota për të arritur pragun prej 67 senatorësh.
Në Dhomën e Përfaqësuesve, ku demokratët kanë siguruar 257 vende, nevojiten 290 vota për të kapërcyer një veto. Gjatë muajve të fundit, demokratët kanë tentuar më shumë se 15 herë të kufizojnë kompetencat e Trumpit përmes rezolutave mbi fuqitë e luftës, por pa sukses në Senat.
Republikanët kanë pranuar kostot e larta të konfliktit, por kanë argumentuar se SHBA-të duhet ta përfundojnë operacionin përpara se të tërhiqen. Përplasja e ardhshme në Kongres pritet të tregojë nëse demokratët do të arrijnë të përdorin kontrollin mbi financat federale për të kufizuar vendimet ushtarake të presidentit./mxh
