Britania e Madhe rrezikon të humbasë një brez të tërë të rinjsh, për shkak të mungesës së mundësive për arsimim dhe punësim. Paralajmërimi vjen nga ish-ministri britanik Alan Milburn, i cili ka propozuar një reformim rrënjësor të sistemit të përfitimeve sociale dhe mbështetjes për të rinjtë nën 25 vjeç.
Nga raporti i tij, gati një milion të rinj në Britani nuk janë as në arsim, as në punë dhe as në trajnim profesional. Plani parashikon një sistem të ri përfitimesh, më shumë praktika pune, mbështetje për punëdhënësit dhe investime në formimin profesional.
Sipas të dhënave të tremujorit të dytë të këtij viti, 981 mijë persona të moshës 16 deri në 24 vjeç janë jashtë arsimit, punësimit dhe formimit profesional. Kjo përfaqëson një në tetë të rinj, ndërsa gjashtë në dhjetë prej tyre nuk kanë pasur kurrë një përvojë pune.
Për ish-ministrin britanik Alan Milburn, problemi nuk lidhet me mungesën e ambicies apo dëshirës për të punuar, por me pamundësinë për të gjetur një mundësi reale për t’u integruar në tregun e punës.
“Britania rrezikon të humbasë një brez të tërë të rinjsh. Jo sepse u mungon talenti, jo sepse u mungon ambicia dhe jo sepse nuk duan të punojnë. Kjo nuk është një krizë aspiratash. Është një krizë mundësish. Gati një milion të rinj janë tashmë jashtë arsimit, punësimit dhe formimit profesional, një në tetë dhe kjo shifër po rritet. Gjashtë në dhjetë prej tyre nuk kanë pasur kurrë një punë.”
Sipas Milburn, në pesë vitet e ardhshme numri i të rinjve jashtë arsimit, punësimit dhe trajnimit mund të kalojë 1 milion e 250 mijë.
Për këtë arsye, ai kërkon jo ndërhyrje të pjesshme, por një ristrukturim të plotë të politikave shtetërore.
“Ne po dështojmë si komb t’u japim të rinjve, brezit të ardhshëm, mundësitë që u nevojiten për të pasur sukses. Ne parashikojmë që brenda pesë viteve numri i të rinjve të papunësuar të jetë mbi një milion. Madje, do të kalojë një milion e 250 mijë. Prandaj, përfundimi në të cilin kam arritur është se masat aktuale nuk mjaftojnë. Problemi është shumë më i madh.”
Propozimi i Milburn parashikon që pjesëmarrja e të rinjve të bëhet pjesë e çdo politike publike, nga arsimi dhe shëndetësia, te përfitimet sociale dhe tregu i punës.
“Pjesëmarrja e të rinjve duhet të përshkojë të gjitha aspektet e politikave publike, si një element i pandashëm. Arsimin, shëndetësinë, përfitimet sociale, politikat e tregut të punës. Nevojitet një marrëveshje. Kjo do të thotë transformimin e shtetit aktual të mirëqenies në një shtet të orientuar drejt punësimit, të organizuar për të maksimizuar mundësitë e të rinjve për të mësuar ose për të fituar të ardhura.”
Një tjetër shtyllë e reformës është përshtatja e të rinjve me transformimin teknologjik dhe përhapjen e inteligjencës artificiale. Sipas Milburn, arsimi duhet të plotësohet me formimin teknik dhe profesional, në mënyrë që të rinjtë të mos përgatiten vetëm për një diplomë, por edhe për realitetin e ri të tregut të punës.
“Ne nuk mund të garantojmë që çdo profesion apo çdo vend pune do të jetë i mbrojtur nga inteligjenca artificiale dhe ndryshimet teknologjike, por mund të përgatisim të rinjtë për të ardhmen. Duhet të krijojmë një kurrikulë të re dhe të integruar, në mënyrë që të rinjtë të dalin nga sistemi arsimor jo vetëm me kualifikime, por edhe me aftësitë për të përballuar tregun e ardhshëm të punës.”
Sipas tij, sistemi aktual i ndan të rinjtë mes atyre që konsiderohen të aftë dhe atyre që nuk mund të punojnë, duke i lënë shumë prej tyre të bllokuar në skemën e ndihmës sociale.
“Sistemi aktual nuk e bën këtë. Që në fillim, ai i ndan të rinjtë në ata që konsiderohen të paaftë për të punuar dhe ata që mund të punojnë. Kjo u mohon shumë të rinjve hapësirën dhe kohën për t’u përfshirë në arsim ose punësim dhe, në vend të kësaj, ata mbeten të bllokuar në ndihmën sociale. Prandaj, unë propozoj që Vlerësimi i Aftësisë për Punë, përfitimi shëndetësor në kuadër të Universal Credit dhe Pagesa për Pavarësi Personale të hiqen dhe të zëvendësohen me një pagesë bazë për të rinjtë, që do ta përfitojnë të gjithë, krahas një sërë shërbimesh të reja për t’i ndihmuar të hyjnë në punë.”
Megjithatë, vetë autori i raportit pranon se reforma mund të ketë pasoja financiare për një pjesë të përfituesve. Disa të rinj mund të marrin më pak mbështetje ekonomike në fillim të përfitimit, krahasuar me sistemin aktual.
“Unë nuk pretendoj për asnjë moment se këto ndryshime do të jenë të lehta për t’u realizuar. Sistemi i ri që po propozoj duhet të zbatohet si për të rinjtë që aktualisht marrin përfitime sociale, ashtu edhe për ata që do t’i përfitojnë në të ardhmen. Mbështetja duhet të vihet në dispozicion përpara se sistemi i ri i përfitimeve të hyjë në fuqi. Megjithatë, disa persona mund të marrin më pak mbështetje financiare në fillim të përfitimit të tyre sesa sipas sistemit aktual. Por qasja ime synon të përcaktojë se çfarë do t’u japë të rinjve mundësinë më të mirë për të ndërtuar një jetë të mirë.”
Një nga argumentet kryesore të raportit lidhet me mënyrën se si shteti shpenzon paratë publike. Aktualisht, për çdo 25 paund që shpenzohen për përfitimet sociale të të rinjve, vetëm një paund shkon për t’i ndihmuar ata të hyjnë në arsim ose punësim. Milburn kërkon që ky raport të ndryshojë në dy me një brenda dhjetë viteve.
“Për çdo 25 paund që shteti shpenzon për përfitimet sociale të të rinjve, ne shpenzojmë vetëm një paund për t’i ndihmuar ata të hyjnë në arsim ose punësim. 25 paund për të financuar një situatë, një paund për të ndihmuar dikë të dalë prej saj. Sipas mendimit tim, kjo është e kundërta e asaj që duhet të bëjmë.”
Në qendër të reformës propozohet krijimi i një shërbimi të posaçëm për mundësitë e të rinjve në çdo zonë të Anglisë. Një strukturë e vetme ku të rinjtë dhe punëdhënësit mund të marrin këshillim, mbështetje psikologjike, orientim për karrierën, ndihmë për përfitimet sociale dhe mundësi për praktika pune.
“Prandaj, unë propozoj krijimin e një shërbimi të ri për mundësitë e të rinjve. Një pikë e vetme, përmes së cilës të gjitha këto shërbime mund të koordinohen në mënyrë më të mirë dhe më efikase. Një vend ku i riu dhe punëdhënësi mund të drejtohen për mbështetje, për një biznes të vogël që dëshiron të punësojë një të ri, për organizimin e praktikave të punës, për këshillim karriere, për zgjidhjen e çështjeve të përfitimeve sociale dhe për garantimin e mundësive dhe mbështetjes.”
Por përgjegjësia, sipas Milburn, nuk mund t’i mbetet vetëm shtetit. Raporti kërkon një marrëveshje të re me sektorin privat.
“Nevojitet një marrëveshje e re me punëdhënësit për të krijuar më shumë mundësi të para punësimi për të rinjtë. Qeveria duhet ta bëjë më të lehtë për punëdhënësit krijimin e vendeve të reja të punës. Kjo duhet të nisë menjëherë, me angazhimin që kostot e punësimit të të rinjve për punëdhënësit të mos rriten më tej.”
Në këtë kuadër, Milburn kundërshton një ulje të përgjithshme të kontributeve të sigurimeve kombëtare për punëdhënësit.
“Një ulje e menjëhershme dhe e përgjithshme e kontributeve të sigurimeve kombëtare, sipas mendimit tim, nuk është përdorimi më i mirë i pesë miliardë paundëve nga paratë publike. Në vend të kësaj, unë propozoj që qeveria të krijojë një plan pesëvjeçar për uljen graduale të kostove të sigurimeve kombëtare për punëdhënësit që punësojnë persona të moshës 21 deri në 24 vjeç, duke nisur nga sektorët e tregtisë me pakicë dhe hotelerisë, pasi ata punësojnë më shumë se një të tretën e të rinjve. Mënyra më e mirë për ta realizuar këtë është dyfishimi i pragut mbi të cilin punëdhënësit duhet të paguajnë kontributet e sigurimeve kombëtare për këta të rinj.”
Për realizimin e tij parashikohet një investim fillestar prej rreth 500 milionë paundësh në vitin financiar 2027-2028, ndërsa shpenzimet vjetore pritet të arrijnë në 5.8 miliardë paund deri në vitin 2036-2037.
Sipas raportit, këto shpenzime do të kompensoheshin gradualisht përmes kursimeve në skemat e përfitimeve sociale dhe rritjes së të ardhurave nga taksat. Reforma synon gjithashtu të rrisë prodhimin ekonomik britanik me rreth 12 miliardë paund në vit deri në vitin 2036.
Qeveria britanike ka shprehur dakordësinë për nevojën e reformimit të mbështetjes për të rinjtë dhe pritet të paraqesë legjislacionin e ri në fillim të vitit të ardhshëm.
Nga ana tjetër, opozita kërkon masa më të shpejta për uljen e shpenzimeve sociale dhe kostove të biznesit, ndërsa për qeverinë mbetet gjetja e një ekuilibri mes disiplinës financiare dhe garantimit të mbështetjes për të rinjtë./mxh
