Kryeministri britanik, Andy Burnham deklaroi sot se marrëveshja e arritur me Bashkimin Evropian, do të ndihmojë në uljen e kostos së blerjeve javore për familjet britanike, ndërsa kundërshtoi kritikat e ish-kryeministrave, që e kanë paralajmëruar të mos rihapë debatin për Brexit-in.
Gjatë samitit të javës së kaluar në Bruksel, qeveria britanike dhe Bashkimi Evropian finalizuan marrëveshje, që përfshijnë eksportet e produkteve ushqimore dhe bujqësore, tregtimin e emetimeve të karbonit dhe një skemë për lëvizjen e të rinjve.
Gjatë një vizite në një qendër rajonale shpërndarjeje të rrjetit të supermarketeve “Morrisons” në Kent, Burnham tha se reduktimi i procedurave burokratike, do të ndikojë në uljen e çmimeve për konsumatorët.
Marrëveshja për produktet ushqimore dhe bujqësore parashikon heqjen e shumicës së kontrolleve dhe kufizimeve, të vendosura pas Brexit-it për këto produkte, duke filluar nga 1 marsi 2028.
Marrëveshja është përshëndetur nga drejtuesit e kompanive të mëdha tregtare, përfshirë “Morrisons”, “Tesco” dhe “Asda”, megjithëse kritikët kanë shprehur dyshime, nëse kursimet do të reflektohen realisht në çmimet për konsumatorët.
“Na kanë treguar një sasi të madhe dokumentesh, që duhet të plotësohen kur eksportojnë produkte nga këtu drejt dyqanit të tyre në Gjibraltar. Nëse hiqen këto dokumente dhe procedura burokratike, mund të ulen kostot”, deklaroi Burnham.
Ai theksoi se marrëveshja nuk synon rikthimin e Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, por krijimin e një marrëdhënieje më të mirë dhe praktike bashkëpunimi.
Konsorciumi Britanik i Shitjes me Pakicë, e cilësoi marrëveshjen për produktet ushqimore, si një arritje të rëndësishme për tregtarët britanikë, por paralajmëroi se nuk pret ulje të çmimeve në raftet e supermarketeve si pasojë e saj.
Gjatë vizitës, Burnham iu përgjigj edhe kritikave të ish-kryeministrave britanikë, mes tyre Rishi Sunak dhe Theresa May, të cilët i kanë kërkuar të mos rihapë debatin për Brexit-in.
Sunak paralajmëroi se kjo çështje, mund të bëhet një shpërqendrim i madh për qeverinë, ndërsa May i kërkoi Burnham të pranojë Brexit-in dhe të ecë përpara.
Qëndrime të ngjashme kanë shprehur edhe ish-kryeministrat Boris Johnson dhe David Cameron.
“Nuk jam i sigurt nëse janë njerëzit që do të dëgjoj, sepse ata e lanë Britaninë e Madhe me një marrëveshje të keqe për Brexit-in. Kanë mbetur në të kaluarën, sepse nuk mund të përballen me marrëveshjen e keqe që arritën vetë”, deklaroi Burnham.
Ai tha se synon ta çojë Britaninë e Madhe drejt një të ardhmeje më shpresëdhënëse, duke nxitur rritjen ekonomike, uljen e kostos së jetesës dhe të faturave të energjisë.
Sipas tij, këto objektiva mund të arrihen përmes një marrëdhënieje më pozitive dhe konstruktive me Bashkimin Evropian.
Burnham bëri të ditur se gjatë 12 muajve të ardhshëm, do të shqyrtojë mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me BE-në, pas marrëveshjeve të arritura në samitin e Brukselit./mxh
