Avionë ushtarakë, të cilët Seuli thuhet se janë rusë, hynë të martën në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut, KADIZ, njoftuan mediat vendase, duke cituar Ministrinë e Brendshme dhe duke korrigjuar kabllogramin e saj të mëparshëm se avionë të Koresë së Veriut kishin shkelur hapësirën ajrore.
“Avionë ushtarakë rusë, jo ata të Koresë së Veriut, hynë në zonën e zbulimit të mbrojtjes ajrore të Koresë së Jugut mbi Detin Lindor”, njoftuan mediat, duke iu referuar zonës detare të njohur edhe si Deti i Japonisë.
Mediat sqaruan më pas se forcat e armatosura të Koresë së Jugut theksuan se hapësira ajrore e shtetit aziatik nuk ishte shkelur.
“Ne e zbuluam lëvizjen përpara se avioni rus të hynte në zonën KADIZ dhe vendosëm avionë luftarakë për të kryer manovra taktike, nëse do të lindte nevoja”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Mbrojtjes planifikon të thërrasë një diplomat nga ambasada ruse në Seul më vonë gjatë ditës për të paraqitur një protestë zyrtare, tha zëdhënësja e ministrisë Chung Bina gjatë një takimi me gazetarët.
Një zyrtar nga Shefat e Përbashkët të Shtabit (JCS) u tha gazetarëve se avioni rus fluturoi shumë afër hapësirës ajrore të Koresë së Jugut, por u largua drejt Detit Lindor pasi ushtria e Koresë së Jugut ndërmori kundërmasa.
Një keqkuptim mbi alarmet e emergjencës shkaktoi konfuzion midis banorëve, ndërsa Ministria e Brendshme lëshoi një paralajmërim për sulm ajror, duke i nxitur njerëzit të strehoheshin nën tokë, ndërsa avionët rusë hynë në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut.
Autoritetet e hoqën alarmin tre minuta më vonë, ndërsa aeroplanët rusë u larguan nga zona./ad
