Last Updated on 24/11/2026 by Klara
Hungaria po përballet me një rritje të rasteve të sifilizit, përfshirë infeksionet e transmetuara nga nëna te fëmija, disa prej të cilave kanë përfunduar me vdekje.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Shëndetit Publik dhe Farmaceutik (NNGYK), deri më 12 nëntor janë regjistruar 144 raste të sifilizit të lindur, ku 31 prej tyre kanë përfunduar me vdekje. Nga këto, 26 fetuse kanë humbur jetën në barkun e nënës, ndërsa pesë të porsalindur kanë ndërruar jetë pas lindjes si pasojë e infeksionit.
Vetëm gjatë tre muajve të fundit janë regjistruar 747 raste të sifilizit, 516 në qarqet e vendit dhe 231 në Budapest. Kjo e bën sifilizin aktualisht infeksionin seksualisht të transmetueshëm me përhapjen më të shpejtë në Hungari.
Rritja e rasteve është veçanërisht shqetësuese edhe për shkak të tendencës së viteve të fundit. Sipas shifrave të NNGYK-së, numri i rasteve të raportuara është rritur nga 777 në vitin 2020 në 2462 në vitin 2025.
Të dhënat e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregojnë se shkalla e infektimit në Hungari është gjashtë herë më e lartë se në Rumani dhe 20 herë më e lartë se në Kroaci.
Hungaria raporton gjithashtu më shumë raste të sifilizit të lindur se çdo vend tjetër i Bashkimit Evropian. Në vitin 2024 u regjistruan 42 raste të infeksionit te fetuset dhe të porsalindurit, e ndjekur nga Bullgaria me 30 raste. Në 14 vende nuk u raportua asnjë rast.
Çfarë duhet të dimë për sifilizin?
Sifilizi është një infeksion seksualisht i transmetueshëm, i shkaktuar nga bakteri Treponema pallidum. Ai përhapet kryesisht përmes kontakteve seksuale vaginale, anale dhe orale, por mund të transmetohet edhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë.
Një nga shenjat e para është zakonisht shfaqja e një plage pa dhimbje, e cila mund të zhduket edhe pa trajtim. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se infeksioni është eliminuar.
Në disa raste, sëmundja shfaqet me dhimbje koke, simptoma të ngjashme me gripin, dhimbje fyti dhe gjendje të përgjithshme jo të mirë. Mund të shoqërohet gjithashtu me rënie në peshë, humbje të flokëve dhe zmadhim të nyjeve limfatike.
Në fazat e mëvonshme mund të shfaqen skuqje dhe probleme të tjera shëndetësore. Nëse nuk trajtohet, sifilizi mund të shkaktojë dëmtime serioze në sistemin nervor, zemër dhe enët e gjakut.
Infeksioni mund të kurohet me antibiotikë, zakonisht me penicilinë, ndaj diagnostikimi i hershëm është thelbësor.
Pse është veçanërisht i rrezikshëm për gratë shtatzëna?
Një nga shqetësimet kryesore në Hungari lidhet me transmetimin e infeksionit nga nëna te fetusi. Bakteri mund të kalojë përmes placentës dhe të infektojë fëmijën gjatë zhvillimit në barkun e nënës. Kjo njihet si sifilizi i lindur.
Nëse gruaja shtatzënë nuk merr trajtimin në kohë, infeksioni mund të shkaktojë abort spontan, lindje të vdekur ose probleme të rënda shëndetësore te foshnja.
Sipas të dhënave të NNGYK-së, vitin e kaluar infeksioni u zbulua te 91 të porsalindur, ndërsa vetëm në tetë muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan 100 raste.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka përcaktuar si objektiv jo më shumë se 50 raste për çdo 100 mijë lindje të gjalla. Shifra e raportuar në Hungari është më shumë se dyfishi i këtij objektivi.
Një studim i publikuar këtë vit nga ekspertët e Universitetit Semmelweis, që analizoi 180 gra shtatzëna të diagnostikuara me sifiliz gjatë periudhës 2015-2025, zbuloi se 75% e infeksioneve u identifikuan vetëm në tremujorin e dytë ose të tretë të shtatzënisë.
Në momentin e diagnostikimit, 94% e grave nuk shfaqnin simptoma. Sipas studiuesve, vonesat në ndjekjen e kontrolleve prenatale dhe ndërprerja e ndjekjes mjekësore kanë qenë ndër faktorët që kanë vështirësuar parandalimin e transmetimit te fetusi.
Hungaria vendos protokoll të ri për kontrollet gjatë shtatzënisë
Përballë situatës, autoritetet shëndetësore hungareze kanë miratuar një protokoll të ri kombëtar për ekzaminimin dhe trajtimin e grave shtatzëna, si dhe për kujdesin ndaj partnerëve të tyre.
Protokolli parashikon testimin e detyrueshëm për sifiliz gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë dhe përsëritjen e kontrollit për të gjitha gratë shtatzëna në javën e 24-t deri në të 28-tën.
Autoritetet do të ofrojnë gjithashtu teste të shpejta në momentin e lindjes për gratë që nuk kanë kryer kontrolle gjatë shtatzënisë ose që konsiderohen me rrezik të lartë infektimi.
Në rast rezultati pozitiv, trajtimi me penicilinë duhet të nisë brenda tri ditëve, ndërsa identifikimi dhe njoftimi i partnerëve seksualë duhet të fillojë brenda 48 orëve, me qëllim ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit./k.m
