Last Updated on 24/11/2026 by EL
Një sasi rekord prej 893 kilogramësh kokainë, e fshehur brenda arkave me portokaj, është zbuluar dhe sekuestruar nga Policia Metropolitane në tregun e madh të frutave dhe perimeve New Spitalfields në Londrën lindore. Operacioni i gjerë policor, i cili goditi një rrjet të organizuar të trafikimit të drogës, çoi në arrestimin e tetë personave dhe sekuestrimin e rreth 450,000 paundëve para të gatshme.
Ndërhyrja e autoriteteve nisi mbrëmjen e së dielës, më 22 nëntor, në rrugën Sherrin në zonën e Leyton, ku oficerët zbuluan ngarkesën e madhe të drogës të kamufluar mes frutave. Gjatë aksionit në treg u arrestuan në flagrancë pesë burra, të moshës 27, 33, 41, 43 dhe 58 vjeç, nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike të Klasit A, ndërsa një 44-vjeçar u prangos aty pranë me rreth 100 kilogramë drogë në posedim.
Operacioni u shtri edhe jashtë kryeqytetit britanik. Gjatë kontrolleve në një banesë në zonën e Chesnut, në Hertfordshire, policia arrestoi një 48-vjeçar dhe sekuestroi shumën prej rreth 450,000 paundësh cash. Ndërkohë, një tjetër goditje u dha pranë Maidstone, në Kent, ku oficerët ndaluan një kamion dhe e shoqëruan për inspektim të imtësishëm në Dover. Brenda mjetit u gjetën rreth 250 kilogramë kokainë të dyshuar, duke çuar në arrestimin e drejtuesit 50-vjeçar të kamionit.
Të tetë të arrestuarit janë lënë në paraburgim, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të zinxhirit kriminal vijojnë. Inspektorja detektive Lindsay Bilani, e cila drejtoi operacionin, deklaroi se vlera e lëndës narkotike arrin në miliona paund dhe se ky aksion përbën një goditje vendimtare ndaj rrjeteve kriminale që ushqejnë dhunën në rrugët e Londrës. Sipas Policisë Metropolitane, ky rast renditet mes sekuestrimeve më të mëdha të kokainës të kryera ndonjëherë në kryeqytetin britanik.
