Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Aleanca do të mbrohet nga çdo kërcënim në hapësirë, pas raportimeve në mediet gjermane se Rusia po përgatitet të lëshojë një satelit të pajisur me armë bërthamore, sipas BBC.
Sipas medieve gjermane, raportet e zbulimit për një lëshim të mundshëm brenda 60 ditëve të ardhshme janë shpërndarë këtë muaj mes vendeve anëtare të NATO-s. Megjithatë, nuk është bërë e ditur se cili shtet i ka hartuar këto raporte.
Kancelari gjerman Friedrich Merz i cilësoi këto informacione si shqetësuese. Ai tha se raportime të tilla nuk janë të reja, por mbeten po aq tronditëse. Një zëdhënës i qeverisë gjermane konfirmoi se ato po merren shumë seriozisht.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se nuk i kishte parë raportet, ndërsa hodhi poshtë informacionet e bazuara në burime anonime. Ambasada ruse në Berlin i cilësoi akuzat si të pabazuara dhe pjesë të një fushate propagandistike.
Sipas transmetuesve publikë gjermanë NDR dhe WDR, si dhe gazetës “Süddeutsche Zeitung”, sateliti rus mban emrin e koduar “Sputnik-S” dhe mund të jetë i pajisur me një mbushje bërthamore. Ai mund të përdoret për të ndërprerë funksionimin ose për të shkatërruar satelitë të tjerë, përfshirë ata që përdoren për komunikim dhe vëzhgim.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, së bashku me kancelarin Merz, Rutte theksoi se NATO do të garantojë mbrojtjen e çdo pjese të territorit të saj, duke përfshirë edhe sigurinë në hapësirë.
Ai shtoi se Aleanca ka në dispozicion disa mundësi reagimi dhe do të vlerësojë vazhdimisht kapacitetet e saj parandaluese dhe mbrojtëse, duke i përditësuar ato kur të jetë e nevojshme.
Kancelari Merz nuk konfirmoi dhe as mohoi planet e raportuara të Rusisë, por tha se ato tregojnë nivelin e përshkallëzimit që Moska është e gatshme të ndjekë.
Ndërkohë, kreu i Agjencisë Evropiane të Hapësirës, Josef Aschbacher, e cilësoi vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë si një skenar makthi.
Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967, ku Rusia është palë nënshkruese, ndalon vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitën e Tokës.
Eksperti Bleddyn Bowen, bashkëdrejtor i Qendrës së Kërkimeve Hapësinore në Universitetin e Durhamit, paralajmëroi se shpërthimi i një arme bërthamore në hapësirë do të kishte pasoja të mëdha për infrastrukturën globale.
Aktualisht, në orbitë ndodhen më shumë se 15 mijë satelitë aktivë. Një shpërthim i tillë mund të dëmtonte një numër të madh prej tyre, por edhe vetë infrastrukturën hapësinore të Rusisë./mxh
