Anglia ka regjistruar 5 258 vdekje të lidhura me temperaturat e larta gjatë verës së vitit 2026, shifra më e lartë që prej vitit 2016, kur nisën regjistrimet e këtij lloji, bëhet e ditur sipas të dhënave paraprake u publikuan sot nga Agjencia Britanike e Sigurisë Shëndetësore (UKHSA).
Anglia përjetoi verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë që nga viti 1884.
Gjatë periudhës maj-shtator u shënuan shtatë valë të nxehti, të shoqëruara edhe me një thatësirë të pazakontë.
Rekordi i mëparshëm ishte regjistruar në vitin 2022, kur temperaturat e larta u lidhën me 2 985 vdekje. Shifra e këtij viti është dukshëm më e lartë, duke treguar ndikimin e rëndë të temperaturave ekstreme në shëndetin e popullsisë.
Sipas raportit të UKHSA-së, pjesa më e madhe e viktimave u regjistrua gjatë dy valëve të para të të nxehtit. E para, nga 24 deri më 27 maj, shkaktoi 792 vdekje, ndërsa e dyta, nga 21 deri më 28 qershor, u shoqërua me 2 401 vdekje.
Agjencia paralajmëron se temperaturat e larta në fillim të verës mund të jenë veçanërisht të rrezikshme, pasi popullsia, komunitetet dhe shërbimet shëndetësore mund të mos jenë ende të përgatitura për përballimin e tyre. Për këtë arsye, masat mbrojtëse duhet të ndërmerren që në fillim të sezonit të nxehtë.
Për momentin, autoritetet nuk kanë publikuar të dhëna të detajuara mbi moshën e viktimave, shpërndarjen e tyre gjeografike apo shkaqet konkrete të vdekjeve. Bilanci përfundimtar pritet të publikohet në fillim të vitit 2027. UKHSA thekson se përgatitja për rreziqet shëndetësore nga temperaturat ekstreme duhet të nisë përpara valëve të të nxehtit dhe jo vetëm gjatë kulmit të verës./mxh
