Një tjetër sukses ndërkombëtar për industrinë televizive turke. Seriali i njohur “Leyla: Life… Love… Justice…” është shpallur fitues i çmimit për serialin më të mirë telenovelë në edicionin e 54-t të International Emmy Awards, që u mbajt mbrëmjen e së hënës, më 23 nëntor, në New York.
Produksioni turk arriti të triumfojë përballë konkurrencës nga Brazili dhe Spanja, duke lënë pas edhe një tjetër produksion turk të nominuar në të njëjtën kategori, serialin “Far Away” (Uzak Sehir). Çmimin në emër të serialit e morën producenti Kerem Catay dhe regjisorja Hilal Saral, ndërsa produksioni mban firmën e kompanisë Ay Yapim.
Ceremonia u zhvillua në New York Hilton, në Manhattan, nën drejtimin e aktorit amerikan Michael Urie. Në edicionin e këtij viti konkurruan 64 kandidatura nga 22 shtete, në 16 kategori të ndryshme. International Emmy Awards vlerëson produksionet televizive të realizuara jashtë Shteteve të Bashkuara.
“Leyla” është një përshtatje e serialit të famshëm brazilian “Avenida Brasil”, i cili theu rekorde shikueshmërie në vendin e tij. Seriali nisi transmetimin në televizionin turk NOW më 11 shtator 2024 dhe në qendër të historisë ka Leylën, e cila humbet nënën në moshë të vogël dhe braktiset nga njerka e saj, Nur.
Vite më vonë, ajo rikthehet me një qëllim të qartë: të kërkojë drejtësi dhe të marrë hak për gjithçka që ka kaluar. Në rolet kryesore interpretojnë Cemre Baysel dhe Alperen Duymaz, ndërsa personazhi i Nurit vjen përmes aktores Gonca Vuslateri.
Ky është një tjetër vlerësim i rëndësishëm për serialet turke në këtë kategori. “Endless Love” (Kara Sevda) fitoi në vitin 2017, “Family Secrets” (Yargi) në vitin 2023, ndërsa “The Good & The Bad” (Deha) triumfoi në ceremoninë e vitit 2025. Me fitoren e “Leyla”, Turqia regjistron çmimin e katërt në kategorinë e telenovelës.
Mes produksioneve të tjera të vlerësuara ishte seriali francez me temë historike “Careme”, i prodhuar nga Apple TV, që fitoi çmimin për dramën më të mirë. Ndërsa komedia argjentinase “Division Palermo” u shpall fituese në kategorinë e komedisë, duke i dhënë Netflix-it vetëm një çmim, pavarësisht nëntë nominimeve me të cilat platforma hyri në garë.
Çmimin për aktorin më të mirë e fitoi britaniku Bobby Schofield për interpretimin në dramën e BBC-së “Unforgivable”, ndërsa aktorja belge Mona Mina Leon u vlerësua si aktorja më e mirë për rolin në serialin flamand “Holy S—”.
Në kategoritë e tjera u vlerësuan dokumentari britanik “Louis Theroux: The Settlers”, prodhimi i BBC-së “Prisoner 951” dhe programi gjerman “Der Talentierte Mr. F”.
Mbrëmja u shoqërua gjithashtu me ndarjen e dy çmimeve të nderit. Bela Bajaria, ish-drejtuese e përmbajtjes në Netflix, mori Founders Award, ndërsa Gerhard Zeiler, ish-president ndërkombëtar i Warner Bros. Discovery, u vlerësua me Directorate Award.
Me këtë fitore, “Leyla” i shton një tjetër sukses listës së produksioneve turke që kanë arritur të marrin vlerësime në skenën ndërkombëtare./mxh
