Last Updated on 24/11/2026 by EL
Prej orësh, qyteti i Pogradecit dhe Njësia Administrative Buçimas është pa energji elektrike. Burime nga OSHEE bëjnë me dije se shkak është bërë një dëmtim në nënstacionin elektrik.
Ndërprerja e energjisë për juglindjen e vendit ishte paralajmëruar më herët nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), i cili njoftoi se shkëputja do të bëhej për shkak të një defekti në nënstacion, me qëllim kryerjen e riparimeve të nevojshme.
Ndërprerja ishte parashikuar të zgjaste nga ora 16:00 deri në orën 18:00, duke përfshirë të gjithë qytetin e Pogradecit dhe Njësinë Administrative Buçimas. Për rrjedhojë, banorët dhe bizneset në këto zona kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike gjatë orëve të ndërprerjes.
Mirëpo, probleme me furnizimin me energjinë elektrike raportohen dhe në qytetin e Durrësit. Një pjesë e madhe e qytetit bregdetar mësohet se kanë mbetur prej orësh në errësirë, ndërsa shkaku mësohet të jetë bërë një defekt në linjat elektrike./et
