Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka organizuar pritjen tradicionale me rastin e 28 Nëntorit, 114-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit. Në këtë organizim, të organizuar nga ambasadori Petrit Malaj, kanë marrë pjesë krerë të institucioneve të Kosovës, përfshirë presidenten Justina Shiroka-Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Të pranishëm në këtë pritje ishin edhe përfaqësues të tjerë institucionalë e politikë, deputetë, si dhe personalitete të jetës publike në Kosovë.
Në mesin e të ftuarve ishte edhe familja e komandantit legjendar Adem Jashari. Bekim Jashari, i biri i Hamëz Jasharit, ka bërë të ditur se së bashku me motrën e tij, Besartën, morën pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë.
Përmes një postimi, Jashari ka përcjellë urimet për festat e nëntorit, duke theksuar lidhjet e përbashkëta historike, kulturore dhe kombëtare ndërmjet shqiptarëve.
“Jemi bashkë, kemi një gjuhë, kulturë e traditë, e kemi Shqipërinë dhe Kosovën e pavarur. Kemi histori, rrënjë dhe amanete të përbashkëta, të cilat na obligojnë të punojmë së bashku për t’i jetësuar”, ka shkruar ai.
Pritja në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme, ku përfaqësues të institucioneve, politikës dhe personalitete të ndryshme bashkohen për të shënuar një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
28 Nëntori shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912 dhe ngritjen e flamurit kombëtar në Vlorë. Kjo datë ka rëndësi të veçantë edhe për Kosovën, pasi lidhet me ngjarje të tjera historike, si dalja e parë publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari./mxh
