Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Mbështetja e qytetarëve gjermanë për vazhdimin e ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa shumica tashmë shprehet kundër dërgimit të mëtejshëm të mbështetjes ushtarake për Kievin, sipas një sondazhi të ri.
Të dhënat e sondazhit vjetor “Berlin Pulse”, të realizuar nga Fondacioni Körber, tregojnë se 53 për qind e gjermanëve kundërshtojnë vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Një vit më parë, kjo përqindje ishte 39 për qind.
Në të kundërt, numri i atyre që mbështesin ndihmën ushtarake ka rënë nga 59 për qind në 46 për qind.
Opinioni publik gjerman mbetet gjithashtu i ndarë lidhur me ndikimin e mbrojtjes së Ukrainës kundër Rusisë në sigurinë e vetë Gjermanisë dhe të Evropës. Gjysma e të anketuarve, ose 50 për qind, besojnë se mbrojtja e Ukrainës kontribuon edhe në sigurinë evropiane, ndërsa 48 për qind nuk ndajnë të njëjtin qëndrim.
Sarah Pagung, drejtuese e politikës ndërkombëtare në Fondacionin Körber, vuri në dukje mospërputhjen mes pritshmërive të partnerëve evropianë për një rol më të madh të Gjermanisë dhe qëndrimit të qytetarëve të saj.
Sipas saj, ndërsa shumë vende presin që Berlini të marrë drejtimin në Evropë, një pjesë e madhe e opinionit publik gjerman nuk e mbështet marrjen e një roli udhëheqës në aspektin ushtarak. Gati dy të tretat e të anketuarve janë kundër një përgjegjësie të tillë.
Pagung e cilësoi këtë dallim mes pritshmërive ndërkombëtare dhe mbështetjes së brendshme si një nga sfidat kryesore me të cilat përballet politika e jashtme gjermane.
Sa i përket luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, e nisur në vitin 2022, 61 për qind e të anketuarve mendojnë se Gjermania dhe Evropa nuk po bëjnë përpjekje të mjaftueshme për të nxitur negociatat e paqes mes dy vendeve.
Megjithatë, 64 për qind e gjermanëve kundërshtojnë normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë për sa kohë që lufta vazhdon.
Sondazhi evidenton gjithashtu shqetësimin e qytetarëve për situatën ndërkombëtare. Rreth 65 për qind e të anketuarve presin që konfliktet e armatosura në mbarë botën të shtohen.
Në të njëjtën kohë, po rritet mbështetja për një politikë të jashtme më të përmbajtur nga ana e Gjermanisë. Sipas rezultateve, 48 për qind e qytetarëve mendojnë se vendi duhet të jetë më i tërhequr nga përfshirja në krizat ndërkombëtare, pesë pikë përqindje më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë, vetëm 40 për qind mbështesin një angazhim më të madh ndërkombëtar të Gjermanisë, krahasuar me 48 për qind në sondazhin e mëparshëm.
Mes qytetarëve që kërkojnë një rol më aktiv të vendit në arenën ndërkombëtare, shumica dërrmuese, konkretisht 77 për qind, favorizojnë shtimin e përpjekjeve diplomatike.
Dallimet më të theksuara në qëndrime vërehen sipas përkatësisë politike. Mbështetësit e aleancës konservatore CDU/CSU të kancelarit Friedrich Merz, të Partisë Socialdemokrate (SPD), të të Gjelbërve dhe të Partisë së Majtë janë kryesisht në favor të një angazhimi më të madh ndërkombëtar të Gjermanisë.
Një qëndrim krejtësisht i ndryshëm vërehet te mbështetësit e partisë së djathtë AfD. Rreth 84 për qind e tyre kërkojnë që Gjermania të tregojë më shumë përmbajtje në politikën e jashtme.
Gjithashtu, vetëm 11 për qind e mbështetësve të AfD-së janë pro vazhdimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, ndërsa 75 për qind mbështesin normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë./mxh
