Prokuroria ka dhënë pretencën për të pandehurit e akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe Europës, duke kërkuar dënime deri në 15 vite burg.
Dënimin më të lartë e ka kërkuar për Artion Çaushllarin, 15 vite burg, që në rast të gjykimit të shkurtuar zbret në 10 vite. Për Aldi Zonjan është kërkuar 14 vite burg, ose 9 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar.
Nga 14 vite burg janë kërkuar edhe për Geis Sejfullain, Ismail Abdurahmanin, Jose Ramon Zakarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Seranon. Në rast të gjykimit të shkurtuar, dënimet për ta ulen në 9 vite e 4 muaj burg.
Për K. Birçen është kërkuar dënimi me 13 vite burg, ndërsa për H. L. Narvaez 8 vite e 8 muaj burg. Për një tjetër të pandehur është kërkuar dënimi me 4 vite burg.
Ndërkohë, për Endi Sejdinin Prokuroria ka kërkuar 12 vite burg, që me gjykim të shkurtuar zbresin në 8 vite. Për Baki Huqin është kërkuar dënimi me 10 vite burg, ose 6 vite e 8 muaj nëse pranohet gjykimi i shkurtuar.
Si funksiononte rrjeti i trafikut?
Sipas hetimeve, grupi kriminal dyshohet se organizonte transportimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, duke e fshehur lëndën narkotike në ngarkesa me lëkurë gjedhësh.
Në kuadër të hetimeve, në Portin e Durrësit u zbuluan ngarkesa me kokainë, ndërsa autoritetet identifikuan edhe ambiente të përdorura për magazinimin dhe përpunimin e lëndës narkotike.
Hetimet e SPAK kanë zbardhur gjithashtu dyshime për bashkëpunim me organizata kriminale në Amerikën Latine, me qëllim trafikimin e kokainës drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Prokuroria ka kërkuar dënimet përkatëse për të gjithë të pandehurit, ndërsa vendimi përfundimtar do të merret nga Gjykata e Posaçme, pas shqyrtimit të provave dhe pretendimeve të palëve./ad
