Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot i bëri thirrje sot presidentit rus Vladimir Putin që të heqë dorë nga “iluzioni i tij kolonial dhe imperialist”, duke theksuar se vendet evropiane janë të përfshira në mënyrë aktive në diskutime për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.
Në një prononcim për transmetuesin TF1, Barrot paralajmëroi kundër përsëritjes së “propagandës ruse”, e cila pretendon se Evropa nuk merr pjesë në negociata, raporton kanali francez BFMTV. Ai theksoi se evropianët janë të angazhuar në diskutime lidhur me Ukrainën, përfshirë edhe me Rusinë, e cila u detyrua të angazhohej me Evropën pas thirrjeve nga Kina, India dhe komuniteti më i gjerë ndërkombëtar.
“Për këtë arsye, Vladimir Putini duhet të heqë dorë nga iluzioni i tij kolonial dhe imperialist, sepse ne nuk do ta pranojmë kurrë një gjë të tillë”, tha Barrot. Ministri francez e akuzoi Putinin se përpiqet të minojë unitetin evropian përmes “sulmeve dhe ngacmimeve” të vazhdueshme.
Barrot mbrojti të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje, në kontekstin e sulmeve të fundit ndaj anijeve ruse jashtë kufijve të vendeve në fjalë. “Ukrainasit po mbrohen. Ata po goditen rëndë nga sulmet ruse me dronë dhe raketa, madje edhe në mes të ditës, përfshirë sulme ndaj civilëve. Le ta vëmë veten në vendin e tyre. Çfarë do të bënim ne nëse do të përballeshim çdo ditë e çdo natë me bombardime nga një pushtues? Ne do të mbroheshim”, tha ai.
Këto komente erdhën pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori përsipër të hënën përgjegjësinë për sulmet ndaj dy anijeve ruse pranë Libisë, ndërsa të shtunën, një anije mallrash ruse u godit nga një dron në Detin Baltik. Ndërkohë, sipas autoriteteve ukrainase, sulmet ruse në rajonin e Kievit gjatë natës së së dielës lanë të vdekur të paktën 15 persona./ad
