Last Updated on 25/11/2026 by Klara
Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër po i nënshtrohet punimeve në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian të Futbollit U-21, ‘EURO U-21 2027’ që Shqipëria do të organizojë së bashku me Serbinë vitin që vjen.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetet sociale pamje nga punimet në stadiumin ku luan Vllaznia, duke theksuar se investimet në Shkodër nuk kufizohen vetëm në infrastrukturën sportive.
“Puna në shtëpinë e Vllaznisë, stadiumin “Loro Boriçi. Jo vetëm në stadium, por në çdo cep të Shkodrës po punohet ditë e natë për t’i dhënë qytetit pamjen dhe infrastrukturën që meriton”, shkruan Rama.
Paralelisht me punimet në “Loro Boriçi”, ndërhyrje po kryhen edhe në Kalanë e Shkodrës, ku parashikohet zgjerimi i hapësirave të parkimit për autobusët, rehabilitimi i shtegut të vjetër drejt kalasë, si dhe restaurimi i mureve dhe muzeut.
Në hyrje të qytetit, në nyjën e Bahçallëkut, po punohet për përmirësimin e qarkullimit të automjeteve dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Shkodrës pritet t’i shtohet edhe një hapësirë e re e gjelbër pranë Urës së Bunës, ku po ndërtohet një park rekreativ në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh. Projekti përfshin shtigje për këmbësorët, ambiente çlodhëse dhe hapësira për aktivitete në natyrë./k.m
