Last Updated on 25/11/2026 by EL
Prodhimi i energjisë elektrike u rrit me afro 78% në sezonin e verës këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Për shkak të një sistemi që ende në pjesën dërrmuese varet nga burimet hidrike, edhe prodhimi më i madh ka ardhur nga hidrocentralet.
Sipas INSTAT në tremujorin e tretë të vitit u prodhuan 1.9 milionë megavat orë energji elektrike, prej së cilës 57,9 % nga hidrocentralet publike, 15,9 % nga hidrocentralet private dhe koncesionare dhe 26,2 % nga prodhuesit e burimeve të rinovueshme. Në këtë tremujor është shtuar edhe më shumë prodhimi nga parqet fotovoltaike dhe burimet e tjera jo hidrike, me në total 501 gigavat.
Referuar raportit gjatë kësaj periudhe (korrik, gusht, shtator), është importuar 2.8% më pak energji se vjet afro 998 gigavat, ndërkohë që është eksportuar më shumë se në 2025-ës prej prodhimit në rritje. Në këtë tremujor vendi ka shitur 620 gigavat energji, ose 98.8% më shumë se e njëjta periudhë e 2025-ës.
Por më shumë prodhim, nuk do të thotë më shumë furnizim. INSTAT tregon për një situatë të përkeqësuar të humbjeve të energjisë në rrjet, të cilat arritën në 348 gigavat orë, ose 7.7% më shumë se vjet. Këto shifra tregojnë se pavarësisht investimeve në rrjetet e transmetimit apo nënstacione, përsëri nevoja për të investuar është e lartë.
Ndërkohë konsumi në muajit e verës është rritur me 14.3% krahasuar me vitin e kaluar për shkak edhe të temperaturave të larta gjatë këtij viti, të cilat kanë shtuar edhe përdorimin e kondicionerëve si nga konsumatorët familjar ashtu edhe nga bizneset./et
