Një tregtar gjerman i mjeteve lundruese dyshohet nga autoritetet evropiane se ka qenë një prej furnizuesve kryesorë të rrjeteve të trafikimit të emigrantëve që organizojnë kalimet me gomone përmes Kanalit Anglez drejt Britanisë së Madhe. Sipas një investigimi të BBC-së, rreth 29% e kalimeve të zbuluara në katër muajt e parë të këtij viti dyshohet se janë kryer me gomone ose motorë të lidhur me kompaninë MaReBoote, një biznes i vogël në Gjermaninë perëndimore.
Në qendër të hetimit është administratori i kompanisë, 35-vjeçari Marvin Reuter, ndaj të cilit është lëshuar një urdhër-arresti evropian në maj të këtij viti. Ai kundërshton ekstradimin drejt Francës, ku mund të përballet me akuza për trafikim emigrantësh, organizim kriminal dhe vrasje nga pakujdesia.
Pajisjet e kompanisë së tij dyshohet se kanë qenë të përfshira në dy incidente tragjike gjatë përpjekjeve për kalimin e Kanalit Anglez, ku humbën jetën katër persona. Reuter nuk mund të akuzohet zyrtarisht në Francë pa u ekstraduar dhe deri më tani konsiderohet i pafajshëm.
BBC, në bashkëpunim me transmetuesit gjermanë WDR dhe NDR, gazetën “Süddeutsche Zeitung” dhe francezen “Le Monde”, ka shqyrtuar qindra dokumente policore, gjyqësore dhe tatimore lidhur me çështjen. Sipas materialeve të siguruara, hetuesit dyshojnë për lidhje të vazhdueshme mes biznesmenit dhe rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve.
Gomone me logon e kompanisë në brigjet britanike
Sipas hetimeve franceze, të paktën 82 gomone të furnizuara nga kompania e Reuterit kanë mbërritur në brigjet e Anglisë gjatë një periudhe pak më shumë se dyvjeçare, deri në muajin maj. Fotografi të publikuara në media që prej pesë vitesh tregojnë gjithashtu gomone të mbushura me emigrantë, në të cilat dallohet logoja e MaReBoote.
Në vitin 2021, Reuter kishte deklaruar për gazetat “The Sun” dhe “The Guardian” se ndihej i shqetësuar dhe i irrituar që mjetet e shitura prej tij përfundonin në duart e trafikantëve. Në atë kohë, sipas raportimeve, nuk kishte dyshime zyrtare ndaj tij. Një hetues gjerman kishte krahasuar situatën me shitjen e një makine Mercedes, e cila më pas përdorej për të kryer një krim në një shtet tjetër.
Prokurori francez Samuel Finielz nuk pranoi të komentonte hollësitë e hetimit, por konfirmoi se drejtuesi i një kompanie gjermane është aktualisht subjekt i një urdhër-arresti evropian. Sipas tij, shitja e gomoneve është e ligjshme, por bëhet vepër penale kur shitësi e di plotësisht se pajisjet do të përdoren nga rrjete të përfshira në emigracionin e paligjshëm apo trafikimin e qenieve njerëzore.
Një pjesë e provave kundër Reuterit lidhet me arrestimin e dy shtetasve gjermanë pranë qytetit portual Boulogne-sur-Mer, në Francën veriore, në maj të këtij viti.
Policia ndaloi një automjet BMW me targa gjermane, i cili tërhiqte një rimorkio. Gjatë kontrollit u gjetën bidonë me karburant, një motor varke, pompa dhe një gomone e palosur.
Sipas dokumenteve të marrjes në pyetje, dy personat pranuan se paguheshin deri në 1.000 euro për çdo transport të pajisjeve drejt emigrantëve në bregdet. Njëri prej tyre raportohet të ketë deklaruar se e dinte që veprimtaria ishte e paligjshme, por kishte mbyllur sytë për shkak të parave që përfitonte.
Të dy janë dënuar më pas për vepra që lidhen me trafikimin e emigrantëve dhe, sipas hetuesve, kanë përmendur Marvin Reuterin si personin që i kishte punësuar dhe paguar. Në dosjen hetimore thuhet se si automjeti, ashtu edhe gomonia që transportohej, mbanin logon e kompanisë MaReBoote.
Në ditën e arrestimit të Reuterit në Gjermani, policia sekuestroi gjithashtu më shumë se 30 gomone dhe rreth 9.000 jelekë shpëtimi, pajisje që dyshohet se kishin lidhje me biznesmenin.
Hetuesit francezë kanë siguruar prova të tjera edhe përmes përgjimit të bisedave në qelinë e një personi të dyshuar si drejtues i një rrjeti trafikimi, i cili mbahet në paraburgim në Francë.
Sipas dokumenteve të shqyrtuara nga BBC, në regjistrimet e fshehta ai fliste për blerjen e pajisjeve detare nga një kompani gjermane, e drejtuar nga një person me emrin Marvin. Adresa e kompanisë MaReBoote ishte gjetur gjithashtu në telefonin e të dyshuarit.
Reuter u arrestua në Gjermani në maj dhe më pas u lirua në pritje të procedurës së ekstradimit. Kur gazetarët e BBC-së e përballën me akuzat në ambientet e kompanisë së tij në Werne, pranë Dortmundit, ai nuk pranoi të përgjigjej dhe kërkoi largimin e tyre. Më vonë u kthye dhe deklaroi se do të njoftonte policinë.
Avokatët e tij kanë kundërshtuar ekstradimin drejt Francës, duke përmendur mes argumenteve edhe mbipopullimin e burgjeve franceze. Sipas tyre, Reuter duhet të përballet me çdo pretendim ndaj tij në Gjermani.
Hetimi vjen në një kohë kur kalimet me gomone drejt Britanisë kanë shënuar rënie të ndjeshme gjatë vitit 2026. Autoritetet britanike ia atribuojnë këtë pjesërisht forcimit të zbatimit të ligjit. Në fund të vitit të kaluar, Gjermania kriminalizoi shprehimisht ndihmën për trafikimin e emigrantëve drejt Britanisë, pas një hetimi të mëparshëm të BBC-së që zbuloi rolin e vendit si pikë magazinimi për pajisjet e përdorura nga rrjetet kriminale.
Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA) ka vlerësuar angazhimin e Gjermanisë në luftën kundër trafikimit të emigrantëve, por ka theksuar se vendi do të mbetet një hallkë e rëndësishme e këtij fenomeni për shkak të afërsisë me Francën dhe lidhjeve të transportit. Sipas autoriteteve britanike, pjesa më e madhe e pajisjeve të përdorura për kalimet me gomone vitet e fundit ka kaluar përmes Gjermanisë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre prodhohet në Kinë dhe transportohet përmes Turqisë./k.m
