Sofía Vergara është kthyer në vendlindjen e saj, Kolumbi, për të parë nga afër statujën gjigante që i kushtohet asaj në qytetin e Barranquilla. Edhe pse skulptura prej bronzi u inaugurua në korrik të vitit 2025, aktorja e pa për herë të parë personalisht vetëm të martën, gjatë një ceremonie të veçantë në nder të saj.
Statuja, e projektuar nga skulptori kolumbian Yino Márquez, është plot 7.3 metra e lartë dhe peshon gjashtë tonë. Ajo e paraqet aktoren me njërën dorë në bel dhe tjetrën të ngritur në një përshëndetje, e veshur me një fustan elegant dhe taka.

Gjatë ceremonisë, Vergara rikrijoi pozën e statujës dhe artisti i dhuroi një kopje të vogël të skulpturës. Aktorja, e njohur për rolin e saj në serialin Modern Family, u nderua gjithashtu me titullin “Distinguished Barranquillera”, një vlerësim që kryetari i bashkisë ua akordon qytetarëve të shquar.
Për këtë rast, 54-vjeçarja u shfaq me një fustan blu në stil korseje, me pjesën e sipërme transparente, ndërsa flokët brune i kishte lënë të lëshuar në onde. Ajo mbajti për pak çaste edhe “Turbani i Traditës”, një simbol i kulturës lokale që iu prezantua gjatë eventit.

Kur statuja u zbulua për herë të parë verën e kaluar, Vergara shprehu emocionet e saj përmes një postimi në Instagram.
“Faleminderit, Barranquilla ime e bukur, për këtë dhuratë! Nuk e kisha imagjinuar kurrë që historia ime, puna ime dhe ëndrrat e mia do të linin një gjurmë kaq domethënëse në këtë tokë që e dua, e respektoj dhe për të cilën më merr malli kaq shumë”, shkruante ajo.
Aktorja shtoi se gjithçka që kishte arritur ia detyronte forcës, vullnetit dhe gëzimit që kishte marrë nga vendlindja e saj. Sipas saj, statuja nuk ishte vetëm një nderim personal, por edhe një dedikim për banorët e Barranquilla-s, familjen dhe miqtë që e kishin mbështetur gjithmonë.

Megjithatë, skulptura ka shkaktuar edhe reagime të ndara në rrjetet sociale. Disa përdorues komentuan se statuja nuk i ngjante shumë aktores, ndërsa të tjerë e krahasuan me statujën e Cristiano Ronaldos, duke thënë se versioni i Vergara-s ishte shumë më i realizuar.

Aktorja mbërriti në Kolumbi të hënën, së bashku me djalin e saj 35-vjeçar, Manolo. Që prej mbërritjes, ajo ka ndarë momente nga vizita familjare, duke treguar se si po shijon kohën me të afërmit, nga mëngjeset së bashku deri te vallëzimet me familjen.

Për Vergara-n, ky rikthim në Barranquilla ishte më shumë se një vizitë për të parë një statujë. Ishte një moment për t’u rikthyer te rrënjët dhe për të festuar lidhjen me qytetin që, siç ka thënë vetë, ka kontribuar në gjithçka që ajo është sot./k.m
