Bota e muzikës është në zi. Andy Taylor, kitaristi i njohur i grupit britanik Duran Duran, ka ndërruar jetë në moshën 65-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e prostatës. Ai ishte një nga figurat kryesore të grupit dhe kontribuoi në krijimin e disa prej hiteve më të mëdha të tij, mes tyre “Save a Prayer”, “Rio” dhe “Girls on Film”.
Gjatë karrierës së tij, Taylor bashkëpunoi edhe me artistë të njohur ndërkombëtarë, si Robert Palmer, Rod Stewart dhe Belinda Carlisle.
Lajmi i trishtë u konfirmua nga anëtarët e tjerë të Duran Duran, të cilët përmes një deklarate bënë të ditur se muzikanti kishte luftuar për një kohë të gjatë dhe me shumë guxim kundër kancerit të prostatës.
Sipas deklaratës, ai u nda nga jeta në paqe, në shtëpinë e tij, të hënën, më 23 nëntor, i rrethuar nga familjarët.
Edhe bashkëshortja e tij, Tracey, reagoi pas lajmit të trishtë, duke e cilësuar muzikantin si shtyllën e familjes së tyre.
“Ai ishte shkëmbi i familjes sonë. Do të na mungojë çdo ditë”, u shpreh ajo.
Andy Taylor lindi në një familje peshkatarësh dhe e mësoi vetë të luante kitarë, bas dhe bateri. Dashuria për muzikën e bëri të niste karrierën profesionale që në moshën 13-vjeçare. Përpara se të bëhej pjesë e Duran Duran, ai luajti në disa grupe muzikore në Britaninë e Madhe.
Karriera e tij mori një kthesë të rëndësishme në prill të vitit 1980, kur iu përgjigj një njoftimi në një revistë muzikore, ku kërkohej një kitarist energjik. Kjo e çoi në audicionin për grupin Duran Duran në Birmingham, duke shënuar fillimin e një prej bashkëpunimeve më të rëndësishme në historinë e muzikës pop.
Grupi u bë më pas një fenomen ndërkombëtar përmes lëvizjes muzikore “New Romantics”, e cila ndërthurte tingujt melodikë të synth-pop me videoklipe spektakolare dhe një stil të veçantë vizual.
Kontributi i Taylor në tingullin e grupit ishte i jashtëzakonshëm. Riff-et e tij karakteristike të kitarës u kthyen në një nga elementet më të dallueshme të këngëve të Duran Duran, nga hyrja energjike e “Girls on Film” deri te tingujt e fuqishëm të “Hungry Like the Wolf”.
Në deklaratën e tyre prekëse, anëtarët e grupit, Simon Le Bon, Nick Rhodes, John Taylor dhe Roger Taylor, kujtuan rëndësinë që Andy kishte pasur që në fillimet e historisë së tyre muzikore.
“Andy ishte aty që në fillim të historisë sonë. Që nga momenti kur mbërriti në Birmingham nga verilindja e Anglisë, me një kitarë dhe një besim të palëkundur në atë që mund të bëheshim, ai i dha muzikës sonë një energji dhe vetëbesim që lanë gjurmë të pashlyeshme”, thuhet në deklaratë.
Ata vlerësuan gjithashtu humorin e tij, karakterin dhe mënyrën e veçantë të të luajturit në kitarë, që ndihmoi grupin të fitonte famë në mbarë botën. Në fund, shprehën ngushëllimet për bashkëshorten Tracey, fëmijët Georgina, Isabella, Bethany dhe Andrew, si dhe nipin Albie, duke kërkuar respektimin e privatësisë së familjes në këtë moment të vështirë.
Andy dhe Tracey, e cila punonte si parukiere, u njohën në vitet e para të suksesit të Duran Duran dhe u martuan në vitin 1982. Sipas saj, pavarësisht përvojave të jashtëzakonshme që i kishte dhuruar muzika, familja kishte qenë gjithmonë përparësia e tij.
Në vitin 1984, gjatë një periudhe pushimi të aktivitetit të Duran Duran, Andy Taylor dhe John Taylor bashkëpunuan me Robert Palmer, duke krijuar grupin Power Station. Projekti rezultoi i suksesshëm, megjithëse jetëshkurtër.
Një vit më vonë, Andy vendosi të largohej nga Duran Duran, pas një përvoje të vështirë gjatë performancës së grupit në koncertin historik “Live Aid”. Në autobiografinë e tij, të titulluar “Wild Boy”, ai kishte përshkruar tensionet mes anëtarëve të grupit dhe atmosferën e vështirë që mbizotëronte në atë periudhë.
Pas largimit, ai vazhdoi karrierën muzikore dhe kontribuoi edhe në këngën e famshme “Addicted to Love” të Robert Palmer. Në vitin 1987 publikoi albumin e tij solo, “Thunder”.
Pas disa vitesh të përqendruara në kompozimin e këngëve dhe prodhimin e albumeve për artistë të tjerë, Taylor u rikthye te Duran Duran në vitin 2000. Megjithatë, ky bashkim zgjati vetëm deri në publikimin e albumit “Astronaut”, në vitin 2004, pas të cilit rrugët e tyre u ndanë sërish.
Në vitin 2022, kur Duran Duran u përfshi në “Rock and Roll Hall of Fame”, mungesa e Andy Taylor në ceremoninë e rëndësishme u ndje veçanërisht. Në atë kohë, këngëtari Simon Le Bon lexoi një letër të dërguar nga kitaristi, përmes së cilës ai zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer metastatik të prostatës në stadin e katërt.
Pavarësisht gjendjes shëndetësore, Taylor vazhdoi të mbante lidhje me grupin dhe në vitin 2023 kontribuoi në albumin “Danse Macabre”, të frymëzuar nga festa e Halloween-it. Ky ishte bashkëpunimi i tij i fundit me Duran Duran.
Pas lajmit për vdekjen e mikut të tij, Simon Le Bon e kujtoi me fjalë emocionuese, duke vlerësuar ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën e grupit.
“Andy nuk zgjidhte kurrë rrugën e lehtë në muzikë. Tingulli i deformuar i kitarës së tij na shtyu të bëheshim grupi i vetëm që ndërthurte funk, rock dhe punk në lëvizjen ‘New Romantics’, me këngë që vazhdojnë të qëndrojnë të pavdekshme edhe sot, dekada më vonë”, u shpreh ai./mxh
