Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Të enjten ndërroi jetë Atë Mikail Shuli, prift i Kishës së Shën Athanasit në Karavasta, i cili për më shumë se tre dekada i shërbeu komunitetit orthodhoks në zonën e Karavastasë dhe Myzeqesë.
Lajmi është bërë i ditur nga Mitropolia e Shenjtë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, e cila ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të klerikut, duke theksuar përkushtimin e tij shumëvjeçar në shërbesën priftërore.
Atë Mikail Shuli kreu studimet në Seminarin Teologjik të Kishës Orthodhokse në Durrës (Shën Vlash) gjatë viteve 1992–1995. Ai u hirotonis dhjakon në vitin 1994 dhe prift në vitin 1996 nga Kryepiskopi i ndjerë Anastas.
Për më shumë se 30 vite ai shërbeu me devotshmëri në Kishën e Shën Athanasit dhe në komunitetet e zonës së Karavastasë dhe Myzeqesë, duke iu përkushtuar misionit të tij fetar.
Sipas njoftimit të Mitropolisë, shërbesa e përcjelljes për në banesën e fundit do të zhvillohet në Kishën e Shën Athanasit në Karavasta, të premten, më 27 nëntor 2026, në orën 12:00.
Ngushëllime përcolli edhe deputeti Erion Braçe, duke e cilësuar Atë Mikailin si një njeri të përkushtuar, me mirësi dhe humor.
Njoftimi i Mitropolisë së Beratit, Vlorës dhe Kaninës:
Mitropolia e Shenjtë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, me keqardhje, por me shpresën e Ngjalljes dhe të Jetës së Përjetshme, njofton ndarjen nga jeta të Atë Mikail Shulit, prift i Kishës së Shën Athanasit në Karavasta.
Atë Mikaili kreu studimet në Seminarin Teologjik të Kishës sonë gjatë viteve 1992–1995. U hirotonis dhjakon në vitin 1994 dhe prift në vitin 1996, nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i ndjerë Anastas.
Për më shumë se 30 vjet, ai i shërbeu me devotshmëri grigjës së Krishtit në zonën e Karavastasë dhe të Myzeqesë, duke përmbushur me përkushtim misionin e tij priftëror.
Shërbesa e përcjelljes do të kryhet në Kishën e Shën Athanasit, në Karavasta, ditën e premte, datë 27.11.2026, në orën 12:00.
I përjetshëm qoftë kujtimi i shërbëtorit të Perëndisë, Atë Mikailit/ad
