Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Vincesk Piroli dhe Kristian Ymeri, ndaj të cilëve është ngritur akuza për vrasjen për motive gjakmarrjeje të ish-policit Frrok Lleshi në Vaun e Dejës, në gusht të vitit 2025, dyshohet se kanë kryer edhe të paktën 4 vrasje të tjera kundrejt pagesës.
Këto të dhëna janë siguruar nga autoritetet pas sigurimit të dëshmisë së një bashkëpunëtori, rrëfim që më pas është kryqëzuar me të dhënat e tjera dhe hetuesit kanë krijuar bindjen se Piroli e Ymeri janë autorët e vrasjes së ish-policit në fshatin Paçram.
Krahas vrasjes së ish-policit Lleshi, që u ekzekutua në Vaun e Dejës për motive gjakmarrjeje, Piroli dhe Ymeri dyshohet të kenë kryer edhe një tjetër vrasje në qytetin e Shkodrës, për të cilën hetuesit janë duke analizuar provat.
Edhe vrasja tjetër dyshohet të jetë kryer prej tyre për interes, pra kundrejt pagesës. 3 ngjarjet e tjera dyshohet të jenë kryer në Tiranë.
Piroli u arrestua bashkë me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan nga policia e Lezhës, më 11 tetor 2026, për akuzën e krijimit të kushteve për të kryer vrasje.
Nga hetimet rezulton se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kishin në shënjestër për të ekzekutuar Erjon Tucin, një person i implikuar në trafikimin e sasisë prej 18 tonësh kokainë që u sekuestrua në Astakos, Greqi.
Vrasja e Tucit dyshohet se ishte planifikuar në shenjë hakmarrjeje për masakrimin e një shqiptari të dënuar me burgim të përjetshëm brenda burgut të sigurisë së lartë në Greqi.
Në kushtet kur ka të dhëna që dy të arrestuarit kanë vepruar për llogari të disa grupeve kriminale, dosja penale ndaj Pirolit dhe Ymerit me gjasë do të kalojë për kompetencë të SPAK-ut.
Piroli ishte liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm dhe ndodhej në arrest shtëpie kur u firmos urdhërarresti për vrasjen e ish-policit. Ndërsa Ymerit iu komunikua në burg masa e re e sigurisë për akuzën e vrasjes së Lleshit./ad
