Last Updated on 27/11/2026 by EL
Nga Jayati Ghosh, Project Syndicate
Pushteti i jashtëzakonshëm që ushtrojnë miliarderët e sotëm përbën një kërcënim për demokracinë dhe planetin. Megjithatë, është inkurajues fakti se njerëzit në mbarë botën, të pakënaqur nga rritja e kostos së jetesës dhe përkeqësimi i perspektivave të punësimit, po fillojnë të kuptojnë se sa shumë pushtet politik mund të ushtrojnë edhe ata vetë.
Nuk është për t’u habitur që në shumë vende po rritet pakënaqësia e qytetarëve ndaj pabarazisë ekstreme dhe përqendrimit të pasurisë e pushtetit në pak duar. Është përhapur gjerësisht bindja se demokracitë elektorale, në praktikë, janë kthyer në oligarki apo plutokraci, ku pushteti ushtrohet nga një grusht korporatash të mëdha dhe njerëzit që i kontrollojnë ato, në shumicën e rasteve burra. Të pasurit e kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre politik për të përcaktuar rregullat dhe politikat që u kanë mundësuar të pasurohen e të fuqizohen edhe më shumë, ndërkohë që shumica e njerëzve jetojnë në kushte gjithnjë e më të pasigurta.
Ky reagim i qytetarëve ka marrë forma të ndryshme dhe njihet me emërtime të ndryshme. Në vendet e pasura, shprehja “kriza e përballueshmërisë së kostos së jetesës” është kthyer në sinonim të pakënaqësisë së qytetarëve për rritjen e çmimeve të atyre që konsiderohen nevoja të domosdoshme. Në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, shqetësimet më urgjente lidhen me pamundësinë për të krijuar vende pune të denja dhe me vështirësitë e shumë njerëzve për të përmbushur edhe nevojat më elementare.
Si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim, cilësia e shërbimeve publike po bie, komunitetet po humbasin kohezionin e tyre, njerëzit bëjnë një jetë gjithnjë e më të izoluar dhe tronditjet klimatike po ua rrezikojnë burimet e jetesës. Një pjesë e madhe e pakënaqësisë vjen nga të rinjtë, të cilët ndihen sikur u është mohuar mundësia për një të ardhme të denjë. Protestat e tyre shpesh nisin me shqetësimet për koston dhe cilësinë e arsimit, për t’u zgjeruar më pas te perspektivat gjithnjë e më të zymta të punësimit dhe problemet mjedisore që do të trashëgojnë.
Se si mund të përmbyset prirja drejt përqendrimit gjithnjë e më të madh të pasurisë dhe pushtetit ishte tema qendrore e Samitit të Parë të Parisit kundër Oligarkisë Ndërkombëtare, të mbajtur në fillim të këtij muaji. Diskutimet u përqendruan në tri çështje të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën: kontrollin mbi zhvillimin e inteligjencës artificiale, përqendrimin e pronësisë së mediave dhe taksimin e pasurive ekstreme.
Në themel të të tria këtyre çështjeve qëndron pushteti i jashtëzakonshëm që ushtron një grusht miliarderësh me lidhje politike. Në ndjekje të interesave të tyre, njerëzit jashtëzakonisht të pasur e përdorin pushtetin për të diktuar drejtimin që marrin ekonomitë dhe shoqëritë tona, për të ndërhyrë në çështje të luftës dhe paqes, si dhe për të marrë vendime që mund të përcaktojnë fatin e njerëzimit, madje edhe të planetit, pa iu nënshtruar asnjë forme llogaridhënieje demokratike. Po aq gërryes është edhe cinizmi që ushqen ky përqendrim i pushtetit. Kur njerëzit arrijnë në përfundimin se sistemi është ndërtuar për të favorizuar një pakicë, ata humbasin besimin tek institucionet publike dhe te vetë demokracia.
Tani që flluska e inteligjencës artificiale duket se është pranë plasjes, potenciali shkatërrues i kësaj teknologjie po bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Pavarësisht gjithë premtimeve për begatinë që do të sjellë inteligjenca artificiale, përdorimet e saj më të zakonshme sot kanë të bëjnë me zëvendësimin e punonjësve dhe kontrollin e atyre që mbeten në punë. Ndërsa sipërmarrësit e teknologjisë dhe financuesit e tyre po marrin përsipër të përcaktojnë fatin e njerëzimit, rivendosja e kontrollit demokratik mbi mënyrën se si zhvillohet inteligjenca artificiale, mbi pronësinë e saj dhe mbi ata që përfitojnë prej saj është një përparësi urgjente.
Kontrolli gjithnjë e më i madh i oligarkëve mbi atë që njerëzit shohin dhe lexojnë përbën një pengesë serioze për reformat demokratike. Kontrolli i mediave tradicionale nga njerëzit e pasur ka qenë prej kohësh një shqetësim, por rrjetet sociale u kanë dhënë pronarëve të sotëm një ndikim në shkallë globale. Mjafton të kujtojmë se me çfarë lehtësie Elon Musk arriti të merrte kontrollin e Twitter-it, platformës që i afrohej më shumë konceptit të një sheshi publik global, ta riemërtonte atë në X dhe t’ia impononte pjesës tjetër të botës obsesionet e tij politike dhe personale.
Përqendrimi i pronësisë së mediave bëhet edhe më i rrezikshëm kur oligarkët dhe qeveritë bashkëpunojnë për të manipuluar opinionin publik, duke shtypur mediat kritike dhe duke mbështetur ato që favorizojnë. Ashtu si në rastin e inteligjencës artificiale, përgjigjja duhet të përfshijë rregullim më të rreptë dhe krijimin e alternativave në pronësi publike, që u nënshtrohen mekanizmave të llogaridhënies.
Rritja marramendëse e pasurisë private gjatë dekadave të fundit është në një masë të madhe produkt i vendimeve të vetë qeverive. Ato kanë shitur asetet publike, kanë miratuar ligje që kufizojnë qarkullimin e lirë të dijes, duke e kthyer atë në një burim fitimesh monopoliste, kanë liberalizuar sektorin financiar dhe ia kanë kaluar shoqërisë barrën e humbjeve të sektorit privat, veçanërisht gjatë krizave financiare. Gjithashtu, kanë ulur ndjeshëm taksat për kompanitë shumëkombëshe dhe njerëzit jashtëzakonisht të pasur, duke u mundësuar të dyja këtyre kategorive të paguajnë taksa me norma shumë më të ulëta se kompanitë vendase dhe punonjësit e zakonshëm me pagë.
Për këtë arsye, reformimi i sistemeve tatimore në nivel kombëtar dhe global është thelbësor. Një pikënisje mund të ishte vendosja e një takse për miliarderët, e cila do të garantonte që një pjesë e vogël e pasurisë së tyre të identifikuar, qoftë edhe vetëm 2%, të tatohej çdo vit, pavarësisht formës në të cilën mbahet kjo pasuri. Edhe me një taksë të tillë, miliarderët në shumicën e vendeve do të vazhdonin të paguanin taksa me norma efektive më të ulëta se punonjësit me pagë. Manifesti i Parisit kundër Oligarkisë Ndërkombëtare, të cilin e kam nënshkruar edhe unë, shpjegon se si mund të funksionojë një taksë e tillë.
Sigurisht, ka edhe çështje të tjera me të cilat duhet të merren politikëbërësit, që nga rregullimi i veprimtarive financiare brenda dhe përtej kufijve kombëtarë, përmirësimi i ofrimit publik të mallrave dhe shërbimeve bazë, deri te rigjallërimi i organizatave të punëtorëve të çdo lloji, përfshirë ato që përfaqësojnë punonjësit e sektorit informal dhe personat që kryejnë punë të papaguar. Por lajmi i mirë është se këto kërkesa nuk kufizohen më vetëm në qarqet progresiste.
Ajo që më jep shpresë është fakti se të rinjtë në mbarë botën po refuzojnë të pajtohen me një të ardhme distopike. Në Indi, studentët po i rezistojnë me guxim dhe kreativitet korrupsionit dhe represionit qeveritar. Studentët që takova në Paris kishin ngritur “universitetin e tyre të hapur” gjatë kohës që ishin në grevë. Në Brazil, miliona votues të brezit Z u mobilizuan në internet për të mposhtur kandidatin e së djathtës ekstreme, Flávio Bolsonaro, në zgjedhjet presidenciale të tetorit. Ndërsa në Serbi, opozita e udhëhequr nga studentët i dha së fundmi fund qeverisjes 14-vjeçare të Aleksandar Vuçiçit.
Samiti i Parisit ishte shprehje e një kërkese të përhapur në shoqëri për ndryshime progresiste. Megjithatë, për t’i detyruar qeveritë të veprojnë, do të nevojitet një mobilizim qytetar në përmasa shumë më të mëdha. Inkurajues është fakti se të rinjtë po fillojnë të kuptojnë se sa i madh mund të jetë pushteti politik që kanë në duart e tyre.
*Jayati Ghosh, profesoreshë e ekonomisë në Universitetin e Massachusetts Amherst, është anëtare e Komisionit për Transformimin Ekonomik të Klubit të Romës dhe bashkëkryetare e Komisionit të Pavarur për Reformën e Tatimit Ndërkombëtar të Korporatave.
