Last Updated on 27/11/2026 by EL
Një festë që ngjante më shumë me një spektakël gjigant sesa me një ceremoni martesore, me qindra kuzhinierë, helikopterë dhe një turmë të jashtëzakonshme njerëzish…
Një dasmë me përmasa të pazakonta në Indi ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Anant Singh, politikan në shtetin Bihar, organizoi një ceremoni madhështore për martesën e vajzës së tij, Shivangi Singh, me Rishikesh Kumar, student i administrimit të biznesit në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias në SHBA.
Sipas gazetës britanike “The Guardian”, rreth 400 mijë persona u mblodhën më 25 nëntor në fshatin Nadawa për të marrë pjesë në festimet që u zhvilluan pranë rezidencës së familjes. Ceremonia u organizua në një sipërfaqe prej rreth 2.5 hektarësh, ndërsa përmasat e saj ishin të jashtëzakonshme edhe për standardet e dasmave indiane.
Për të përgatitur ushqimin u angazhuan rreth 500 kuzhinierë, ndërsa familja kishte përgatitur afërsisht 500 mijë ëmbëlsira tradicionale. Në gatimet e ndryshme u përdorën gjithashtu rreth 1 mijë kilogramë mish deleje.
Por surprizat nuk përfunduan te ushqimi. Organizatorët ndërtuan gjashtë heliporte të përkohshme për të pritur personalitetet që mbërritën me helikopterë nga pjesë të ndryshme të vendit.
Dhëndri bëri gjithashtu një hyrje spektakolare, duke mbërritur me syze dielli dhe një shall portokalli, i shoqëruar nga një autokolonë prej 151 automjetesh. Mes dhuratave që mori ishte edhe një makinë luksoze Land Rover Defender.
Fluksi i jashtëzakonshëm i njerëzve shkaktoi bllokime të mëdha trafiku në rrugët që të çonin drejt fshatit. Madje, disa persona u ngjitën në pemë dhe në shtyllat e tensionit elektrik për të parë festimet nga larg.
Një nga aktivitetet e planifikuara ishte edhe një garë me kuaj, ku fituesi do të shpërblehej me një automjet fuoristradë. Por turma e madhe e njerëzve bëri që organizatorët ta anulonin garën në momentin e fundit.
Ngjarja u zhvillua në Bihar, një nga shtetet më të varfra të Indisë, duke e bërë edhe më të komentuar kontrastin mes luksit të ceremonisë dhe realitetit ekonomik të rajonit.
Anant Singh është një figurë e njohur dhe e diskutueshme në politikën lokale. Sipas organizatës “Association for Democratic Reforms”, ai përballet me 28 çështje penale të pazgjidhura, mes të cilave akuza për vrasje, tentativë vrasjeje, rrëmbim dhe zhvatje. Politikani i mohon akuzat.
Sipas “The Guardian”, Singh ka deklaruar se kishte organizuar një festë po aq madhështore edhe për vajzën e tij të madhe./et

