Last Updated on 27/11/2026 by EL
Në fermat shqiptare nuk prodhohet vetëm qumësht me aflatoksinë, por edhe me antibiotikë.
Gjatë vitit 2025, referuar Planit Kombëtar, AKU ka arritur të identifikojë 12 raste ku qumështi i lopës dhe i deles ka rezultuar me ngarkesë të lartë medikamentesh veterinare. Saktësisht, dy kamionë me qumësht deleje dhe 10 mostra të qumështit të deles kanë qenë të ngarkuara me acid salicilik, ndërsa një rast i qumështit të të imtave ka rezultuar me ilaçin semikarbazid (SEM). Ndërkohë, sipas ligjit të sigurisë ushqimore, niveli i medikamenteve në qumësht apo mish duhet të jetë zero.
“Në fakt, medikamentet veterinare PMV nuk duhet të dalin në qumësht apo mish. Kjo tregon që përdorimi i tyre është bërë pa kriter.”
Ndërkohë që fermeri është kujdesur për shëndetin e gjësë së gjallë, nga neglizhenca e inspektorëve të AKU-së dhe të AKVMB-së është lënë mënjanë shëndeti i qytetarëve.
“Të gjithë antibiotikët kanë një periudhë të quajtur periudha e karencës, apo e pezullimit të produktit për konsum gjatë periudhës pas përfundimit të mjekimit të kafshëve, ku ka antibiotikë që karencën e kanë nga 24 orë deri në 14 ditë në qumësht apo mish. Ndërsa për antiparazitarët kjo kohë është edhe më e gjatë, 37-40 ditë, dhe pas aplikimit prezenca e tyre mund të gjendet në qumësht.”
Ndërkohë, një tjetër rast rezulton se qumështi në përbërjen e tij ka pasur edhe lëndë qetësuese.
“Normalisht që përbën rrezikshmëri. Në rastin konkret, që keni ibuprofenin, i bie që keni konsumuar një qumësht me mbetje të tilla.”
Mosrespektimi i recetës veterinare dhe mungesa e kontrolleve të AKU-së bëjnë që produkte si djathi, gjiza, kosi, gjalpi apo salca e kosit të përgatiten nga qumështi me medikamente.
“Jo të gjitha PMV-të shiten sipas rekomandimit të mjekut veterinar, sepse sot fermeri e ka aksesin ta blejë vetë produktin në farmaci dhe, normalisht, mosnjohja e karencës kontaminon produktin përfundimtar që vjen për konsum human.”
Standardizimi i produkteve me origjinë shtazore dhe siguria ushqimore cilësohen si provimet më të vështira që Shqipëria duhet të kalojë para se të bëhet pjesë e familjes europiane./et
