Kriza e strehimit dhe aksidentet e rënda hekurudhore kanë qenë ndër çështjet kryesore të debatit politik në Spanjë, por duket se nuk kanë ndryshuar ndjeshëm preferencat e votuesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 29 nëntorit.
Në sheshin Puerta del Sol, në qendër të Madridit, ku tashmë është vendosur pema gjigante e Krishtlindjeve, protestat për të drejtën e strehimit duken si një kujtim i largët. Çadrat e të rinjve që qëndruan për 38 ditë në shesh, pas dëbimit nga banesa të 87-vjeçares Maricarmen Abascal, janë zhdukur. Në vend të protestuesve, sheshi është mbushur me turistë dhe njerëz që presin në radhë për të blerë bileta lotarie.
Pakënaqësia për krizën e strehimit e kishte shtyrë qeverinë e koalicionit të drejtuar nga socialisti Pedro Sánchez të propozonte dy dekrete për të përballuar situatën. Masat e propozuara nga PSOE dhe Sumar synonin të frenonin spekulimet në tregun e pronave, të kufizonin qiratë turistike dhe dëbimet e personave në vështirësi, si dhe të mundësonin rinovimin automatik të kontratave të qirasë.
Spanjollët votojnë sot, aleanca që mund të ndryshojë vendin
Aksidenti hekurudhor mund t’i kushtojë pushtetin Pedro Sanchez, opozita drejt fitores
Por propozimet u rrëzuan pas votës kundër të Partisë Popullore, Vox dhe Junts. Më 5 tetor, kryeministri shpalli zgjedhjet e parakohshme për 29 nëntor, ndërsa një ditë më vonë qeveria miratoi dy dekrete të reja për ndërtimin e banesave.
Megjithatë, sipas politologut Pablo Simón, profesor në Universitetin Carlos III të Madridit, debati për strehimin nuk ka sjellë ndryshime të dukshme në mbështetjen për partitë politike.
“Çështja e strehimit është kthyer në një nga temat kryesore të fushatës elektorale, por mbështetja për partitë nuk ka ndryshuar. Secili kamp e ka përdorur për të përsëritur qëndrimet që kishte edhe më parë”.
Sipas Simón, e majta e ka paraqitur situatën si një emergjencë strehimi, ndërsa e djathta ka akuzuar qeverinë se po përpiqet të përdorë politikisht dështimin e saj. Në këtë mënyrë, tema ka shërbyer më shumë për të mobilizuar votuesit që tashmë kishin vendosur se kë do të mbështesnin, sesa për të bindur votues të rinj.
Politologu shpjegon se kriza e banesave mund të përfitojë si të majtën, ashtu edhe të djathtën, në varësi të mënyrës se si trajtohet. Nëse fokusi vendoset te të drejtat e qiramarrësve dhe rregullimi i çmimeve të qirave, përfiton e majta, veçanërisht përmes mobilizimit të të rinjve. Nëse debati përqendrohet te mungesa e banesave dhe mënyra se si është menaxhuar problemi, atëherë përfiton e djathta.
Për qeverinë e Sánchez, kriza e strehimit është njëkohësisht një nga temat kryesore të fushatës dhe një dëshmi e asaj që nuk ka arritur të zgjidhë.
Edhe aksidentet e rënda hekurudhore të këtij viti nuk duket se kanë ndryshuar ndjeshëm preferencat politike. Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, në Spanjë janë regjistruar 115 viktima në linjën hekurudhore të shpejtësisë së lartë Madrid-Sevilje.
Më 18 janar, një aksident në Adamuz, në provincën e Kordobës, shkaktoi 46 viktima, ndërsa më 28 tetor, një tjetër aksident në Urda, në provincën e Toledos, u mori jetën 69 personave.
Sipas politologut Simón, aksidenti i Urda-s shkaktoi fillimisht një rënie të mbështetjes për Partinë Socialiste, por mesatarja e sondazheve mbeti pothuajse e pandryshuar. Kalimi i votuesve socialistë drejt Partisë Popullore vazhdoi me të njëjtin ritëm si më parë.
Sipas tij, ndikimi kryesor i aksidentit ishte se për rreth një javë ndërpreu narrativën për rikthimin politik të Sánchez dhe i dha opozitës një argument të ri për të kritikuar mënyrën se si qeveria kishte menaxhuar situatën.
Sondazhi i parë pas aksidentit të Urda-s, i realizuar nga SocioMétrica për gazetën El Español, parashikonte një shumicë absolute prej 203 mandatesh për Partinë Popullore dhe Vox, së bashku me partinë UPN. Sipas këtij sondazhi, Partia Popullore do të merrte 32.3% të votave dhe 137 mandate, dy më shumë se në matjen e 25 tetorit. Socialistët do të merrnin 26.6% dhe 106 mandate, ndërsa Vox do të arrinte në 19.1% dhe 64 mandate.
Gjashtë ditë pas aksidentit, presioni ndaj qeverisë çoi në dorëheqjen e ministrit të Transportit, Óscar Puente. Ai deklaroi se vendimi ishte çështje “dinjiteti politik, koherence dhe ndjeshmërie ndaj viktimave”. Puente tha se nuk mund të vazhdonte të mbante detyrën pas dy aksidenteve kaq të rënda brenda më pak se një viti, pavarësisht se ato ishin të ndryshme dhe nëse ai kishte apo jo përgjegjësi të drejtpërdrejtë.
Megjithatë, sondazhet më të fundit vijojnë të nxjerrin Partinë Popullore në vend të parë me 31.4% të votave. Pas saj renditet PSOE me 29.1%, ndërsa Vox merr 17.9%./mxh
