Last Updated on 03/04/2026 by Anisa
Lufta e Amerikës në Gjirin Persik synonte të rrëzonte regjimin iranian dhe të shkatërronte programin e saj bërthamor. Për mbështetësit një fushatë e suksesshme premtonte edhe një përfitim dytësor: dobësimin e Kinës, duke nxjerrë në pah varësinë e saj si importues i madh i naftës dhe duke dëshmuar epërsinë ushtarake të SHBA-së.
Por, një muaj pas nisjes së konfliktit, kjo logjikë duket e pasigurt. Zyrtarët kinezë shohin përfitime në një luftë të shkurtër me Iranin, duke besuar se Amerika po i shkakton vetes dëme të rënda (ndonëse një konflikt i zgjatur do të fillonte të dëmtonte edhe Kinën). A kanë të drejtë? Apo Pekini nuk e kupton sa shumë përfiton nga rendi botëror i udhëhequr nga SHBA?
Sipas një analize të fundit nga The Economist, Pekini po ndjek një strategji gjakftohtë të “mosndërhyrjes”, duke parë se si rivali i tij kryesor, Amerika, po konsumohet në një tjetër “luftë të pafundme”.
Raportohet se anijet tregtare në rajon po nxitojnë të deklarojnë lidhjet e tyre me Kinën për të shmangur sulmet. Kjo po e kthen Pekinin në “garantin e ri të sigurisë” në sytë e tregtisë botërore, pa pasur nevojë për ndërhyrje ushtarake. Ndonëse Perëndimi shpresonte se lufta do të tregonte dobësinë e Kinës në sigurimin e naftës, ka ndodhur e kundërta. Kina ka treguar rezistencë, ndërsa imazhi i SHBA-së si “polic i botës” po dëmtohet në sytë e Jugut Global.
Sipas analisteve Pekini po zbaton me përpsosmëri mësimin e lashtë të Sun Tzu-së: “Fitorja më e madhe është ajo që nuk kërkon betejë.” Për sa kohë që Uashingtoni mbetet i bllokuar në rërën e Lindjes së Mesme, rruga e Kinës drejt dominimit global mbetet e hapur dhe e papenguar./A.D
