Në paketën fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2026, qeveria shqiptare ka propozuar disa masa të reja që synojnë reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Në ndryshimet e propozuara të ligjit “Për procedurat tatimore”, përcaktohet një kufi prej 500 mijë lekësh për pagesat që individët, tregtarët e vegjël dhe të vetëpunësuarit kryejnë me konsumatorët.
Gjithashtu, projektligji parashikon uljen e kufirit maksimal të pagesave me para në dorë për transaksionet ndërmjet subjekteve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm i parashikuar në projektligj është detyrimi për pajisjen me pajisje për pranimin e pagesave elektronike në pikat e shitjes.
Kategori të caktuara, si strukturat akomoduese, sektori i transportit, institucionet publike dhe shoqëritë me kapital shtetëror duhet të pajisen brenda datës 30 maj 2026. Për tatimpaguesit e tjerë, afati është 31 dhjetor 2026.
Megjithatë, nga ky detyrim përjashtohet një pjesë e madhe e subjekteve, duke filluar nga ato që operojnë në zona pa infrastrukturë interneti, bizneset që nuk janë subjekt i TVSH-së, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitet vetëm në një vendndodhje dhe ata që nuk janë të detyruar të lëshojnë fatura.
Kjo masë synon të reduktojë evazionin dhe të rrisë transparencën fiskale, si dhe të nxisë përdorimin e mjeteve moderne të pagesave.
Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë thekson se, në përmbushje të mandatit të saj ligjor për sigurimin e stabilitetit financiar dhe promovimin e funksionimit efikas të sistemeve të pagesave, prej vitit 2018 ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në bashkëpunim të ngushtë me industrinë financiare dhe institucionet shtetërore, në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018–2023).
Qëllimi kryesor i këtyre reformave ka qenë promovimi i pagesave elektronike, rritja e sigurisë së transaksioneve dhe lehtësimi i aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet financiare, duke nxitur njëkohësisht përfshirjen financiare në vend.
Reformat dhe masat e ndërmarra janë mbështetur në analiza dhe studime të detajuara, ndër të cilat më i rëndësishmi në këtë kontekst është studimi “Mbi matjen e kostove dhe kursimeve të instrumenteve të Pagesave me Vlerë të Vogël”.
Studimi identifikon qartazi se përdorimi i parasë fizike në ekonomi mbart kosto shumë më të larta sesa instrumentet elektronike të pagesës.
Në terma makroekonomikë, kostoja e parasë fizike vlerësohet të arrijë deri në 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa për bizneset, kjo kosto është rreth 0.3% të PPB-së – shumë më e lartë krahasuar me kostot për përdorimin e kartave, të cilat përllogariten në vetëm 0.03% dhe 0.028% të PPB-së.
Kjo tregon se përdorimi i cash-it gjeneron kosto të ndjeshme për të gjithë aktorët ekonomikë, të cilat shpeshherë mbeten të nënvlerësuara, pasi nuk shfaqen drejtpërdrejt sikurse komisionet e transaksioneve elektronike. m.p.
