Për disa, ChatGPT dhe mjetet e tjera të inteligjencës artificiale janë kërcënimi më i madh për krijimtarinë njerëzore. Për të tjerë, janë një mundësi e re për të menduar, shkruar dhe krijuar. Por ndoshta e vërteta është diku tjetër: AI nuk po na heq aftësinë për të krijuar, por po na detyron të kuptojmë më mirë se çfarë do të thotë të jesh krijues.
Që kur inteligjenca artificiale u bë pjesë e jetës sonë të përditshme, ajo është kthyer në një lloj testi personal dhe politik. Mjafton të pyesësh dikë se çfarë mendon për AI-n dhe shpesh kupton edhe mënyrën si e sheh botën.
Ata që shqetësohen për klimën flasin për sasinë e madhe të energjisë që kërkojnë qendrat e të dhënave. Kritikët e kapitalizmit e shohin inteligjencën artificiale si shembullin më të fundit të fuqisë së pakontrolluar të kompanive të mëdha teknologjike. Studiuesit e kolonializmit e shohin si një tjetër mënyrë për të shfrytëzuar punën dhe dijen njerëzore.
Ndërsa më pesimistët e shohin ardhjen e ChatGPT, Claude, Gemini dhe Grok si fillimin e një epoke të frikshme.
Por askush nuk është ndier më i kërcënuar se bota e artit dhe kulturës.
Sepse inteligjenca artificiale po prek pikërisht ato fusha që njerëzit i kanë konsideruar prej kohësh si thelbi i krijimtarisë: fjalët, historitë, imazhet dhe idetë.
Për këtë arsye shumë shkrimtarë dhe artistë kanë zgjedhur një pozicion mbrojtës. Ata argumentojnë se krijimtaria e vërtetë është një aftësi njerëzore dhe se makinat vetëm kopjojnë atë që njerëzit kanë krijuar më parë.
Autori e quan këtë fenomen “Rezistenca Kreative”.
Sipas tij, kjo rezistencë është veçanërisht e fortë në Amerikën e Veriut, më pak e pranishme në Indi dhe akoma më pak në Kinë e Kore. Evropa ndodhet diku në mes.
Një shembull interesant vjen nga një kurs mbi inteligjencën artificiale dhe krijimtarinë që autori zhvilloi në Seul. Studentët nga vende të ndryshme të Azisë dhe Amerikës Latine nuk kërkuan të mësonin si të luftonin AI-n. Pyetja e tyre ishte shumë praktike:
“Na mësoni si ta përdorim sa më mirë.”
I vetmi student që kërkoi një qasje kundër inteligjencës artificiale ishte një amerikan që merrte pjesë në kurs.
Edhe në Indi, autori thotë se ka hasur një qasje më të hapur mes njerëzve të artit: më pak frikë, më shumë kuriozitet.
Pse ndodh kjo diferencë?
Regjisori indian Shekhar Kapur i ka sugjeruar autorit se një arsye mund të jetë mbrojtja e privilegjeve ekzistuese.
“Njerëzit në Jugun Global kanë më pak për të humbur dhe për këtë arsye janë më të gatshëm të provojnë teknologji të reja”, ka thënë ai.
Por mund të ketë edhe arsye kulturore. Disa tradita filozofike, veçanërisht ato të ndikuara nga budizmi, nuk e vendosin domosdoshmërisht njeriun në një ndarje absolute nga format e tjera të inteligjencës.
Megjithatë, sipas autorit, problemi i Rezistencës Kreative është se ajo na pengon të shohim pyetjen më interesante:
Çfarë është në të vërtetë inteligjenca artificiale dhe çfarë na tregon ajo për vetë njerëzit?
Pas tre vitesh eksperimentimi me AI, autori thotë se ka dalë një optimist i kujdesshëm.
Ai pranon se inteligjenca artificiale mund të sjellë probleme të mëdha në tregun e punës, sidomos për disa profesione teknike, por mendon se për njerëzit që merren me gjuhën, idetë dhe kulturën, kjo teknologji është një mundësi jashtëzakonisht interesante.
Dhe pikërisht këtu lind paradoksi:
Ata që merren më shumë me fjalët janë edhe ata që sot i druhen më shumë një teknologjie të bazuar pikërisht te fjalët./ad
