Last Updated on 30/10/2026 by EL
Një aeroplan eksperimental zviceran, i cili fluturon vetëm me energji diellore, ka vendosur rekord botëror duke arritur lartësinë prej 9.640 metrash.
Arritja është realizuar nga projekti SolarStratos, i udhëhequr nga eksploruesi dhe piloti zviceran Raphaël Domjan.
Fluturimi historik u realizua në gusht të vitit 2025, nga aeroporti i Sionit, në kantonin Valis të Zvicrës.
Aeroplani me emërtimin HB-SXA qëndroi në ajër për 5 orë e 9 minuta, duke shfrytëzuar energjinë e prodhuar nga panelet diellore dhe rrymat natyrore të ajrit në Alpet zvicerane.
Rekordi u konfirmua zyrtarisht në tetor të vitit 2026 nga Federata Ndërkombëtare e Aeronautikës (FAI), pas verifikimit të të dhënave të fluturimit.
Lartësia përfundimtare prej 9.640 metrash ishte më e madhe sesa vlerësimi fillestar prej 9.521 metrash i publikuar menjëherë pas fluturimit, shkruan Swissinfo, transmeton Telegrafi.
Me këtë arritje, SolarStratos ka thyer rekordin e mëparshëm prej 9.235 metrash, të vendosur në vitin 2010 nga projekti tjetër zviceran Solar Impulse, i udhëhequr nga Bertrand Piccard.
FAI ka njohur gjithsej tri rekorde botërore për projektin SolarStratos: lartësinë më të madhe të arritur nga një aeroplan me energji diellore, ngritjen më të madhe në lartësi në këtë kategori dhe rekordin e lartësisë për aeroplanët elektrikë në kategorinë përkatëse.
Përveç kësaj arritjeje, Raphaël Domjan është nderuar edhe me medaljen Louis Blériot nga FAI, një çmim i themeluar në vitin 1936 për të vlerësuar arritjet e jashtëzakonshme në aviacion. Medalja iu dorëzua pilotit zviceran më 14 tetor 2026 në Lozanë.
Projekti SolarStratos është nisur në vitin 2015 dhe synon të dëshmojë se aviacioni mund të zhvillohet edhe pa përdorimin e karburanteve fosile.
Objektivi përfundimtar i ekipit është arritja e stratosferës me një aeroplan me pilot, i cili furnizohet vetëm nga energjia diellore.
Sipas ekipit të projektit, rekordi i ri dhe tri certifikimet ndërkombëtare përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij synimi, duke hapur perspektiva të reja për përdorimin e energjisë së pastër në aviacion./et
